• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përmirësohet transparenca aktive e partive politike, por asnjë nuk ka arritur "transparencë aktive të shkëlqyer", tregojnë rezultatet e IRI

Përmirësohet transparenca aktive e partive politike,  por asnjë nuk ka arritur

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Transparenca aktive e partive politike është përmirësuar, tregojnë rezultatet e Indeksit të transparencës së partive politike për vitin 2023, edhe pse ende asnjë parti nuk ka arritur "transparencë aktive të shkëlqyer", gjegjësisht nga 120 pikë të mundshme, asnjë parti nuk ka më shumë se 97 pikë.

Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) sot i prezantoi rezultatet e Indeksit të transparencës së partive politike për vitin 2023. Në suaza të Indeksit janë vëzhguar ueb faqet e partive politike nga përbërja parlamentare 2020-2024, në periudhën nga data 1 deri më 31 tetor të këtij viti.

Indeksi partitë politike i vlerëson në katër kategori - informata bazë për partinë politike, qasje në informatat e karakterit publik, transparencë financiare si dhe komunikim ndaj qytetarëve.

Vlerësimi është ndarë në pesë nivele të transparencës aktive, gjegjësisht shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, mjaftueshëm dhe transparencë aktive e dobët.

Shkalla e “transparencës aktive shumë të mirë” u arrit për herë të parë nga 3 parti politike (LSDM, E Majta dhe Aleanca për Shqiptarët) ndërsa sërish, në kategorinë "transparencë e mirë aktive" janë shtatë nga partitë politike të vëzhguara", gjegjësisht VMRO-DPMNE, BDI, RDM, Lidhja Demokratike, Alternativa, PDSH dhe Partia e Pensionistëve.

Në kategorinë "transparencë aktive e kënaqshme" janë pesë parti politike, ndërsa sërish, tre parti politike të cilat janë përfshirë në mostrë përkasin në kategorinë e fundit të partive politike me "transparencë aktive të pakënaqshme".

Rezultatin më të mirë në Indeksin e sivjetëm të transparencës e ka LSDM me 75 për qind përmbushje të treguesve  dhe 92 pikë të fituara. Partia shënon rritje me një nivel në shkallë dhe gjatë kësaj matje të transparencës aktive është vlerësuar me "transparencë aktive shumë të mirë".

Menjëherë pas LSDM-së vijon E Majta, me 84 pikë, 12 pikë më shumë nga matjet paraprake të fituara në vitin 2021 dhe Aleanca për Shqiptarët me 73 pikë, e cila shënon rritje prej 51 pikë për dallim nga viti 2021.

Në pjesën "informata bazë" analizohet qasja e të dhënave për partinë politike, ku partitë tregojnë rezultate më të dobëta, gjegjësisht plotësojnë vetëm 36 për qind të treguesve.

Në këtë kategori, më së shumti pikë fitojnë E Majta, LSDM dhe Alternativa, gjegjësisht më shumë se gjysma nga numri i përgjithshëm i pikëve, ndërsa sërish, 15  partitë tjera kanë fituar më pak se gjysmën e pikëve.

Partitë më së shumti publikojnë informacione për të cilat janë të obliguara në pajtim me Ligjin për qasje të lirë në informatat publike, tregojnë rezultatet e Indeksit. 

Në kategorinë "qasje në informacion", partitë kanë mesatarisht përmbushjen më të lartë të treguesve prej 53 për qind.

Partia më e mirë në këtë pjesë është LSDM me maksimum 17 pikë, e ndjekur nga Alternativa me 16 pikë, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE me 15 dhe BDI dhe PDTM me 14 pikë. Tri parti politike nuk kanë asnjë informacion për qasje në informacione publike.

Vetëm pesë parti kanë publikuar të gjitha raportet financiare për periudhën e analizuar trevjeçare.

Më mirë vlerësohen partitë politike që publikojnë këto dokumente në një format të hapur ose të kërkueshëm në të cilin informacioni mund të kopjohet. Ka vetëm një shembull të tillë në LSDM, ku informacionet janë plotësisht të publikuara.

Një praktikë e shkëlqyer është krijuar nga Aleanca për Shqiptarët, VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilat shpenzimet e fushatës zgjedhore i publikuan në një bazë të dhënash interaktive, nga e cila mund të shkarkohen të dhënat në format të hapur, ndërsa PRSD vërehet se ka publikuar një raport për donacionet për vitin 2019 në format të hapur, por vetëm si rast i izoluar dhe jo plotësisht për të tre vitet.

Vërehet se PLD dhe Alternativa kanë publikuar raportin e donacioneve vetëm për një vit, ndërsa BESA, PS, PDTM dhe Partia Lëvizja Turke nuk kanë publikuar asnjë raport.

Sa i përket pjesës së fundit, "komunikimi me qytetarët", vetëm pesë parti kanë në dispozicion programet e tyre nga tre ciklet e fundit zgjedhore, LSDM, E Majta, LD, Aleanca për Shqiptarët dhe RDM, ndërsa GROM ka publikuar dy programe zgjedhore nga tre ciklet e fundit zgjedhore.

Tri partitë e tjera, VMRO-DPMNE, BDI dhe PLD kanë publikuar nga një program zgjedhor.  sa/

 

Foto: Printskrin IRI

 

QËNDRONI TË LIDHUR