Përfundoi debati për ndryshimet e propozuara të Ligjit për marrëdhënie pune
- Deputetët sot pasdite e përfunduan debatin për Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për marrëdhënie pune, që është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10, ndërsa votimi do të caktohet shtesë.
- Post By Sheriban Kllokoci
- 19:27, 17 maj, 2023
Shkup, 17 maj 2023 (МИА) - Deputetët sot pasdite e përfunduan debatin për Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për marrëdhënie pune, që është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10, ndërsa votimi do të caktohet shtesë.
Gjatë debatit deputetët e opozitës ishin në qëndrimin se këto ndryshime ligjore janë në kundërshtim me sundimin e së drejtës, pasi, thonë, ligji i robëron punëtorët, në vend se t'i lirojë. Deputetët e shumicës porositën se ndryshimet e ligjit bëhen që në mënyrë më efektive, më efikase dhe më lirë të realizohen projektetet infrastrukturore që janë me interes strategjik dhe nacional.
Sipas deputetes, Ollga Lozanovska nga VMRO-DPMNE, të punohet 72 orë gjatë javës së punës është sulm i drejtpërdrejtë mbi shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve. Lozanovska është me qëndrimin se Ligji për marrëdhënie pune është kundërkushtetues. Sipas saj, Qeveria i shikon interesat e veta, duke i sakrifikuar interesat e punëtorëve dhe familjeve të tyre.
Deputetja Belkisa Zeqiri nga LSDM-ja tha se me këto ndryshime ligjore rregullohet puna shtesë që është në rajon dhe vendet evropiane, si edhe puna të dielën, me pajtim paraprak me shkrim të punëtorit.
Ajo përmendi se ndryshimet e ligjit bëhen që në mënyrë sa më efektive, më efikase dhe më të lirë të realizohen projektet që janë me interes strategjik dhe nacional.
Deputetja Lubica Spasova e LSDM-së është me qëndrimin se puna jashtë orarit nuk është eksploatim, por mundësi reale për përfitim ekstra, me dëshirën e punëtorit.
Sipas deputetit Zoranço Jovançev nga VMRO-DPMNE, sjellja e këtij ligji është në kundërshtim me vlerën bazë të sundimit të së drejtës, të paraparë në Kushtetutë dhe se sipas Ligjit për marrëdhënie pune, orari i punës nuk guxon të jetë mbi 40 orë në javë.
Deputeti Dimitar Apasiev i partisë E Majta porositi se me këto ndryshime ligjore propozuesit po përpiqen "të vendosin robëri normale me flamur evropian, me standarde afrikane". Sipas Apasievit, tani jemi në situatë në të cilën ligji i robëron punëtorët në vend që t'i lirojë, për çka, thotë, pason përgjegjësi penale.
"Kush do të përgjigjet për "Behtel dhe Enka"? Fillimisht, do të përgjigjet Boçvarski si nënshkrues i marrëveshjes, në pajtim me nenin 377 të Kodit Penal për vepër të kryer penale kundër gjyqësisë, mospërmbushjen e vendimit gjyqësor. Më pas, do të përgjigjet propozuesi, në këtë rast propozues është zëvendësministri Enver Hysein, për nenin 361 të Kodit Penal, ndërsa është dokument i falsifikuar. I treti që do të përgjigjet është kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për veprën penale punë e pandërgjegjshme në shërbim, i cili është obliguar që këtë dokument t'ia kthejë propozuesit", tha Apasiev.
Deputeti Arbër Ademi i BDI-së potencoi se në propozimin e Ligjit nuk është përcaktuar sa orë do të zhvillohet puna jashtë orarit, pasi kjo varet prej shumë proceseve. Ai i akuzoi deputetët e opozitës se i bllokojnë ligjet dhe nuk caktojnë debat për projekte të cilat janë shumë të rëndësishme për qytetarët.
Për këtë pikë, votimi do të caktohet shtesë.
Kuvendi nesër në mesditë do të vazhdojë me punë për seancën e 115-të.