Për Propozim- ligjin e tërhequr për arsimin e mesëm përsëri do të diskutohet që të gjendet gjuhë e përbashkët, thotë Janevska
- Përsëri do të diskutohet për Propozim- ligjin për arsimin e mesëm i cili në fund të vitit u tërhoq nga Kuvendi për shkak të amendamenteve të BDI-së dhe kundërshtimit të tyre ndaj njërës nga dispozitat me të cilin parashikohet intonimi i himnit shtetëror nëpër shkolla.
- Post By Fami Bajrami
- 15:23, 3 janar, 2025
Shkup, 3 janar 2025 (MIA) - Përsëri do të diskutohet për Propozim- ligjin për arsimin e mesëm i cili në fund të vitit u tërhoq nga Kuvendi për shkak të amendamenteve të BDI-së dhe kundërshtimit të tyre ndaj njërës nga dispozitat me të cilin parashikohet intonimi i himnit shtetëror nëpër shkolla.
Ministrja Vesna Janevska sot në pyetjen e gazetarëve u përgjigj se do të diskutohet përsëri që të gjendet “gjuhë e përbashkët”, që siç tha ajo, “nëse është e nevojshme ligji do të kthehet edhe pa atë dispozitë”, duke theksuar se më me rëndësi janë reformat thelbësore.
Ajo përsëriti se i vjen keq që “temat politike janë bërë objekt diskutimesh” dhe se ajo dhe qeveria nuk lejojnë që “ligjet e para që miratohen për arsimin të përfshihet politika".
"Me ligjin nuk kemi krijuar tensione ndëretnike dhe si ministër përgjegjës nuk do të lejoj nxitje të tensioneve ndëretnike. Por për fat të keq, partia BDI e përdori atë në mënyrën më të papërshtatshme për të futur problematika politike dhe etnike në ligjin e arsimit. Nuk do të lejoj të ndodhë një gjë e tillë, prandaj ligji është tërhequr. Do të diskutojmë edhe pak më shumë për atë temë, por nëse nuk gjejmë një gjuhë të përbashkët, është e rëndësishme që të kalojnë reformat thelbësore në arsimin e mesëm dhe ligji të kthehet edhe pa atë dispozitë nëse është e nevojshme. Megjithatë, duhet të flasim edhe pak më tepër rreth kësaj", ka thënë Janevska.
Propozim- ligji për arsimin e mesëm e kaloi fazën në leximin e parë, por në komisionin për fazën e dytë u tërhoq nga MASH-i, si propozuese e tij, për shkak të “futjes së politikës në arsim”.
Në fund të vitit në Kuvend u miratuan disa nga pakot e ligjeve: për arsimin dhe aftësimin profesional, për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor, ligjin për arsimin e të rriturve dhe Ligjin për kornizën nacionale të kualifikimeve.
Foto: arkivi i MIA-s