• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Për kompanitë gjermane klima e biznesit në vend është e mirë, me një rënie të lehtë të investimeve të planifikuara

Për kompanitë gjermane klima e biznesit në vend është e mirë, me një rënie të lehtë të investimeve të planifikuara

Shkup, 15 maj 2024 (MIA) - Kompanitë gjermane në vend e vlerësojnë klimën e biznesit si të mirë ose shumë të mirë, por ka një rënie të lehtë të investimeve të planifikuara, ndërsa një nga arsyet për këtë është mungesa e kuadrove profesionale.

Anketa e realizuar në mesin e investitorëve gjermanë dhe kompanive anëtare të Shoqatës ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë tregon se 37 për qind e tyre kanë deklaruar se synojnë t'i zvogëlojnë investimet aktuale të planifikuara, 33 për qind t'i lënë në të njëjtin nivel, ndërsa 30 për qind t'i rrisin investimet. Nëse këto të dhëna krahasohen me vitet e kaluara, mund të verëhet se ka një rënie të lehtë sa i përket investimeve.

"Një nga faktorët vendimtar është mungesa në rritje e kuadrove profesionale. Rreth 70 për qind e kompanive gjermane në vend konsiderojnë se mungesa e kuadrit profesional është një nga rreziqet më të mëdha, ndërsa mungesa e kuadrit profesional reflekton në prodhimin aktual dhe në reduktimin e investimeve aktuale të planifikuara. Pesëdhjetë e shtatë për qind besojnë se edhe kostot e operacionit janë një nga faktorët e rrezikut dhe 47 për qind besojnë se situata ekonomiko-politike ndikon gjithashtu në të, theksoi Antje Vandelt, drejtoreshë e AHK Maqedonia e Veriut, përgjegjëse për Shqipërinë dhe Kosovën në konferencën e sotme për shtyp në Shkup.

Megjithatë, siç u theksua në konferencën për shtyp, Maqedonia e Veriut mbetet një vend tërheqës për investime për kompanitë gjermane, siç dëshmojnë të dhënat nga anketa se 69 për qind e kompanive kanë deklaruar se do të investojnë sërish në vend.

Investitorët gjermanë në vend kërkojnë vazhdimin e dialogut me institucionet kompetente në vend, konsultime para miratimit të ndryshimeve ligjore që do të ndikonin në funksionimin e tyre, rritje të efikasitetit të administratës dhe përfundimin e projekteve të infrastrukturës.

"Edhe pse është herët për Vitin e Ri, ne dëshirojmë t'ia dorëzojmë Qeverisë së re urimet tona për Vitin e Ri, të cilat janë vazhdimi i dialogut të hapur, konsultime me organet ekonomike si odat dhe shoqatat ekonomike para se të bëhen ndryshime ligjore që do të ndikojnë në funksionimin e kompanive, duke rritur efikasitetin në fushën e proceseve administrative, si dhënia e lejeve të qëndrimit, lejeve të punës dhe transparencës më të madhe në proceset e tyre, si dhe vazhdimi dhe përfundimi i projekteve të infrastrukturës tashmë të nisura", tha Vandelt.

Lidhur me recesionin në Gjermani dhe si kjo do të ndikojë në vend, sipas Vandelt, Maqedonia e Veriut mund të përfitojë prej kësaj sepse kompanitë gjermane i transferojnë kapacitetet e tyre prodhuese në vende të tjera.

"Mund të themi se thjesht në Gjermani ka ndodhur recesioni sepse prodhimi është transferuar nga Gjermani, kështu që mund të themi drejtpërdrejt se Maqedonia mund të përfitojë nga recesioni në Gjermani, përkatësisht kompanitë gjermane kërkojnë tregje të tjera ku mund t'i transferojnë gjithë proceset e tyre të prodhimet. Kjo edhe po ndodh. Prandaj kemi edhe riinvestime të mëdha nga pothuajse të gjithë investitorët gjermanë që ndodhen në vend dhe tani për tani po ecën shumë pozitivisht. Vlerësimi ynë është se kjo edhe në të ardhmen do të vazhdojë kështu - të transferohet gjithnjë e më shumë prodhimi këndej", thekson Vandelt.

Në vend ka më shumë se 200 kompani gjermane që punësojnë mbi 20 mijë të punësuar dhe kanë një pjesë të rëndësishme në investimet në Maqedoninë e Veriut. Gjatë vitit 2023 ka edhe investitorë të rinj gjermanë, por edhe një pjesë e madhe e kompanive kanë riinvestuar në vend. ls/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR