• e martë, 24 dhjetor 2024

Osmani: Zgjedhjet kërkojnë terren të barabartë për garë, çështja e datës nuk duhet të politizohet

Osmani: Zgjedhjet kërkojnë terren të barabartë për garë, çështja e datës nuk duhet të politizohet

Shkup, 15 nëntor 2023 (MIA) - Pavarësisht se si do të zhvillohen zgjedhjet, a do të jenë të bashkuara apo jo, jemi në javët e fundit të mandatit politik të kësaj Qeverie. Pra, pyetjet për daljen dhe hyrjen në Qeveri nuk janë më të rëndësishme, thotë shefi i diplomacisë dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani.

I pyetur nëse është e mundur që Qeveria ta humb shumicën në Kuvend duke e marrë parasysh deklaratën e djeshme të liderit të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari se është e mundur të dalin nga koalicioni qeveritar për shkak të mosmiratimit të Ligjit për amnisti, Osmani thotë se kanë bashkëpunim të mirë në Qeveri me ministrat e ASH-së.

"Me Aleancën për Shqiptarët kemi bashkëpunim të mirë në nivel qeveritar, me ministrat absolutisht nuk kemi kurrfarë dallime lidhur me punën që e kryejmë, kemi komunikim të shkëlqyer", tha Osmani në pyetjen e gazetarëve pas konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Luminica Odobesku e cila qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Në lidhje me datën e zgjedhjeve, kjo çështje sipas tij, kërkon konsensus nga të gjithë aktorët politik dhe nuk duhet të politizohet.

"Për zgjedhjet, kam thënë, kjo nuk është një çështje që dikush t'ia imponojë tjetrit. Nëse ka një çështje për të cilën të gjithë duhet të jenë të kënaqur ato janë zgjedhjet. Sepse zgjedhjet kërkojnë terren të barabartë për garë. Nuk mund të favorizoni cilëndo anë. Prandaj tek ne ka të a.q. Qeveri të Përzhinos në të cilën hyn opozita me dy ministra, tre zëvendësministra, jep dorëheqje kryeministri aktual që të mundësohen kushte të barabarta për zgjedhje. Edhe data për zgjedhje mendoj se është pjesë e atij terreni të barabartë. Ne do të përpiqemi të argumentojmë pa pengesa se cili variant është më i mirë. E kam thënë edhe dje se nëse flas si BDI anketat e brendshme na tregojnë  se në cilindo variant ne jemi bindshëm fitues në bllokun politik shqiptar, ashtu që nuk do të ndikojë tek ne si parti. Ajo që duhet të llogarisim është se si do të ndikojë në institucionet, si do të ndikojë në shpenzimet, në çështjet tjera logjistike-financiare dhe mendoj se ajo bisedë nuk duhet të jetë shumë e politizuar. Duhet të ulemi të gjithë dhe t'i tregojmë njëri-tjetrit pozicionin për të parë se kur është më mirë. Qoftë dy javë më herët apo më vonë mendoj se nuk luan rol  për asnjë parti politike", tha Osmani.

I pyetur në lidhje me kryeministrin teknik ai theksoi se do të propozohet nga BDI-ja, ndërsa cila do të ishte zgjedhja e tyre për këtë do të vendosin organet partiake më së voni deri në gjysmën e parë të dhjetorit.

"Nuk mund të tregoj emër sepse paraprakisht duhet të vendosin organet e partisë, ndërsa pastaj t'ua propozojnë partnerëve të koalicionit. Ashtu që ka disa filtra nëpër të cilat kalohet, megjithatë mbesim në marrëveshjen politike se kryeministri në 100 ditët e fundit do të propozohet nga ana e BDI-së. Mendoj se duhet deri në fund të nëntorit, ose në gjysmën e parë të dhjetorit", tha Osmani. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR