• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani: Të mos vihen marrëdhëniet mes tifozëve në korelacion me marrëdhëniet mes shteteve

Osmani: Të mos vihen marrëdhëniet mes tifozëve në korelacion me marrëdhëniet mes shteteve

Shkup, 29 korrik 2023 (MIA) - Më e rëndësishme është që të mos vendosen marrëdhëniet mes tifozëve në korelacion me marrëdhëniet mes shteteve ose çfarëdo lloj grupesh ose popujsh etnikë, sepse kjo është botë e veçantë te tifozët dhe nëse lejojmë që ashtu lehtë të bëhet korelacion dhe vërshim, vetëm do tu bëjmë dëm marrëdhënieve. Të gjithë ata që do të bëjnë përpjekje që kjo që ndodhi mes tifozëve ta vënë në kontekst të marrëdhënieve mes shteteve, nuk kanë qëllime të mira ndaj atyre marrëdhënieve. 

Kjo është porosia e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga konferenca e sotme për media në të cilën iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me ngjarjet me ndeshjen e klubeve të futbollit Shkupi - Levski në Shkup. 

I pyetur nga gazetarët bullgarë që të komentojë deklaratat e disa politikanëve bullgarë se me këto incidente Maqedonia e Veriut po largohet nga Evropa, Osmani tha se "ajo është për të ardhur keq dhe jo korekte". Ai përsëriti se kushdo që përpiqet të nxjerrë analiza politike nga tensionet mes tifozëve, e bën këtë me keqdashje dhe nuk i mendon mirë marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Qëndrimi i MPJ të Republikës së Bullgarisë ishte korrekt dhe këtë e vlerësoj si qëndrim të shtetit bullgar. Partitë politike që përpiqen të marrin pikë politike në bazë të tensioneve mes tifozëve, nuk mendojnë mirë për Bullgarinë, as për Maqedoninë e Veriut, as për marrëdhëniet mes dy vendeve, aq më pak në bazë të tensioneve mes tifozëve për të vlerësuar gatishmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut", tha Osmani.

Përkujtoi se MPJ tashmë i dënoi dhe kërkoi nga organet kompetente t'i ndërmarrin të gjitha masat që të identifikohen kryerësit dhe të nxiren para faqes së drejtësisë. 

Ai informoi se edhe para ndeshjes është komunikuar në nivel të Qeverisë dhe se ndeshja është cilësuar si ndeshje me rrezik të lartë, ndërsa policia dhe MPJ-ja i kanë ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë dhunë në mesin e tifozëve. 

"Më herët në Maqedoninë e Veriut ka pasur shpesh incidente të tilla nga grupe dhe bashkësi të ndryshme etnike, gjithmonë kam qenë i mendimit se nuk është e mundur të nxirren përfundime për marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, dhe në këtë rast tifozëve. Ajo është një botë e veçantë në të cilën tifozët kanë një marrëdhënie të veçantë dhe ngjarje të tilla mes klubeve, mes tifozëve të çdo grupi nuk duhet të vendosen asnjëherë në kontekstin e marrëdhënieve politike brenda apo mes vendeve", tha ministri i  Punëve të Jashtme.

Osmani informoi se i lënduari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është në komunikim me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë dhe autoritetet tona shëndetësore sillen në mënyrë sa më profesionale që të ndihmojnë në nevojën për kujdes. 

I pyetur për atë që dje kishte këngë në një televizion bullgar me përmbajtje të rëndë në kuptim të gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve ndaj neve, ministri Osmani informoi se menjëherë sapo e ka marrë videon përmes kanalit të vendosur për komunikim për denoncim të gjuhës së urrejtjes, kanë denoncuar në MPJ në Bullgari. 

"Gjithnjë do të ketë keqbërës nga të dyja palët, më e rëndësishme është që ne si institucione të mos lejojmë prishjen e marrëdhënieve dhe të mos lejojmë që ata të na e diktojnë agjendën", deklaroi shefi i diplomacisë së vendit tonë. 

Shtoi se ka shumë stereotipe, shumë mosbesim, por për këtë, nënvizoi, do të duhet të ketë të paktën një që do të mendojë ndryshe dhe i analizon, denoncon, ndërmerr masa dhe po tenton të vendosë agjendë konstruktive në marrëdhënie dhe të kthehet besimi mes të dyja shteteve. fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR