• e mërkurë, 26 qershor 2024

Osmani: Rrumbullaksohet kryesimi me PBEJL-në, zgjidhet sekretari i ri i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

Osmani: Rrumbullaksohet kryesimi me PBEJL-në, zgjidhet sekretari i ri i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

Shkup, 12 qershor 2024 (MIA) - "Forcimi i infrastrukturës rajonale të sigurisë i kërcënuar nga sfidat aktuale - Si të ecim përpara?" është tema e takimit të sivjetshëm, i cili është pjesë e aktiviteteve finale në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), i cili do të mbahet më 13 dhe 14 qershor në Shkup.

Siç informoi ministri i Punëve të Jashtme në qeverinë teknike, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këto aktivitete përmbyllin kryesimin tonë njëvjeçar me Procesin. Ai tha se sot është zgjedhur Sekretari i ri i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal si organ ekzekutiv i procesit.

"Nën ombrellën e kryesimit tonë sot, përmes Komitetit të Drejtorëve Politikë, u arrit një konsensus dhe kandidati i Sarajevës, Amer Kapetanoviq, u propozua për Sekretar të ri të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal si organ ekzekutiv i Procesit", ka thënë Osmani.

Sipas tij, ky akt ruan stabilitetin, vazhdimësinë dhe funksionalitetin e Këshillit, ndërsa me këtë edhe të gjithë Procesit.

"Edhe një sukses tjetër për Republikën e Maqedonisë së Veriut pas Kryesimit me OSBE-në në vitin 2023. Vendi ynë edhe një herë e ka konfirmuar pozitën e tij në skenën ndërkombëtare", theksoi ai.

Gjithashtu, bëri të ditur se për momentin po punohet intensivisht në harmonizimin e tekstit të Deklaratës së Përbashkët Përfundimtare, me të cilën do të konfirmohen përkushtimet e përbashkëta për arritjen e kompromiseve dhe zgjidhjeve të pranueshme, të cilat, të gjithëve do të na çojnë drejt pajtimit, dialogut, tejkalimit të çështjeve të së kaluarës, zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit të përshpejtuar në BE.

Në Samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL) do të marrin pjesë delegacionet e 13 pjesëmarrësve të Procesit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RSS). sa/

Foto: MPJ


QËNDRONI TË LIDHUR