• e martë, 24 dhjetor 2024

Osmani: Greqia na informoi se kanë ndryshuar një shenjë, pjesa esenciale e Marrëveshjes respektohet nga të dyja palët

Osmani: Greqia na informoi se kanë ndryshuar një shenjë, pjesa esenciale e Marrëveshjes respektohet nga të dyja palët

Shkup, 16 shkurt 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se pjesa esenciale e Marrëveshjes së Prespës është respektuar nga të dyja palët, ndërsa në pjesën e obligimeve lidhur me shenjat e komunikacionit nga Greqia kanë informuar se kanë ndryshuar një shenjë.

"Ne në 95 për qind, nëse mund të them kemi përmbushur detyrimet tona. Greqia në pjesën e saj esenciale, kjo është mbështetja e integrimit në NATO dhe BE e ka respektuar. Kemi mbetur në disa institucione ku kompetencat nuk janë të Qeverisë, p.sh. ASHAM, RTM dhe federatat. Kjo është ajo që ka mbetur në pjesën tonë. Greqia ka në fushën e shenjave të caktuara të komunikacionit, dje na njoftuan se kanë ndërruar një shenjë dhe tre marrëveshje që nuk ndërlidhen drejtpërdrejt me Prespën", tha Osmani i ftuar në emisionin “Triling” në TV 24, xhiruar para nisjes së tij në Konferencën e sigurisë në Munih.

Sa i përket mundësisë për të qenë kandidat për president të vendit, Osmani tha se “varet nga vlerësimet se ku është më i dobishëm” dhe se “ia lë të vendosin strukturat partiake”.

"Mendoj se nëse BDI ka kandidat, ai është kandidat serioz për të fituar, por duhet bërë vlerësime të mira që të bëhet një ofertë e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, sfidat që kemi dhe pritshmëritë e qytetarëve. Kjo duhet të kalkulohet që të kemi ofertë që nuk është për t'u testuar, por për të fituar", tha Osmani.

Lidhur me atë nëse pas mos nënshkrimit të dekretit për Ligjin për lojërat e fatit nga ana e presidentit Stevo Pendarovski nuk do të mund të llogarisë në mbështetjen e BDI-së në rast të kandidimit të sërishëm, ai tha se ato dy gjëra nuk janë të ndërlidhura dhe ritheksoi se diskutabil është shpjegimi se mosnënshkrimi është për shkak të flamurit evropian.

Për të të ashtuquajturat “rastet e Hagës” janë të mbyllura dhe se lideri i BDI-së Ali Ahmeti nuk do të ballafaqohet me ndonjë fund të palavdishëm.

I pyetur se pse aq gjatë nuk e kanë publikuar në opinion letrën e komisares për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Mijatoviq e cila kërkon riaktivizimin e rasteve të Hagës tha se e ka parë atë letër nga mediat dhe se nuk ka koment dhe se kjo temë po hapet para çdo cikli zgjedhor.

“Unë e kam parë atë letër nga mediat, nuk e kam parë më parë. Është çështje e apsolvuar, sepse as që ka pasur proces në Hagë dhe këtu është konstatuar se nuk ka bazë për procese”, ka thënë Osmani duke shtuar se absolutisht konsideron se rastet e Hagës janë mbyllur.

foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR