Osmani - Garibashvili: Presidenca me OSBE-në është e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e njerëzve në rajonet e konfliktit
- - Presidenca e OSBE-së angazhohet vazhdimisht dhe në mënyrë aktive me të zhvendosurit, gratë dhe të rinjtë e prekur nga konfliktet, si dhe me njerëzit që jetojnë në zona të izoluara dhe të kërcënuara. Mendimet dhe shqetësimet e tyre janë shumë të rëndësishme. Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili.
- Post By Fitore Curri
- 15:34, 11 prill, 2023
Shkup, 11 prill 2023 (MIA) - Presidenca e OSBE-së angazhohet vazhdimisht dhe në mënyrë aktive me të zhvendosurit, gratë dhe të rinjtë e prekur nga konfliktet, si dhe me njerëzit që jetojnë në zona të izoluara dhe të kërcënuara. Mendimet dhe shqetësimet e tyre janë shumë të rëndësishme. Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili.

“Në këtë kontekst është edhe mesazhi i Presidencës sonë, 'Fjala është për njerëzit'. E inkurajoj pjesëmarrjen aktive në Tbilisi dhe pragmatizmin e vazhdueshëm për t'i avancuar çështjet kyçe dhe për t'i shfrytëzuar të gjitha mundësitë për dialog me qëllimin përfundimtar të përmirësimit të gjendjes së të gjithë personave të prekur nga konfliktet”, bënë të ditur sot nga MPJ-ja.

Osmani përsëriti mbështetjen për zgjidhjen e këtyre çështjeve përmes kanaleve kyçe diplomatike për dialog, duke iu referuar Dialogëve Ndërkombëtarë në Gjenevë dhe Mekanizmit për parandalimin dhe reagimin ndaj incidenteve.
Po ashtu, ka theksuar ministri Osmani, OSBE-ja është e përfshirë në mënyrë aktive në prezantimin e masave të reja për ndërtimin e besimit dhe iniciativave për dialog, veçanërisht në lidhje me rininë dhe vendosjen e marrëdhënieve të ngushta me të gjitha palët e interesuara.
“Dua ta veçoj bashkëpunimin me ministren për Pajtim dhe Barazi Qytetare, Tea Akhvlediani, me të cilën pata takim ku diskutuam edhe për avancimin e proceseve për zgjidhjen paqësore dhe të qëndrueshme të konflikteve. Duhet të vazhdojmë në rrugën që çon drejt paqes”, tha Osmani.

Përveç kryeministrit dhe ministres për Pajtim dhe Barazi Qytetare, Osmani takoi edhe kryetarin e Kuvendit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, me të cilin biseduan për rëndësinë e ekzistimit të pluralizmit politik për zgjidhjen e çështjeve urgjente.
Me këtë, Kryesuesi i OSBE-së e përfundoi agjendën në Gjeorgji, nga ku do të vazhdojë vizitën në Kaukazin e Jugut në Baku të Azerbajxhanit, ku do të zhvillojë edhe takime me krerët e shtetit. fc/
Fotografitë: MPJ