• e shtunë, 23 nëntor 2024

O'Brajan: Qytetarët do të kenë një zgjedhje të qartë në muajt e ardhshëm, mes vizionit për të vazhduar drejt Evropës dhe diçka krejtësisht tjetër

O'Brajan: Qytetarët do të kenë një zgjedhje të qartë në muajt e ardhshëm,  mes vizionit për të vazhduar drejt Evropës dhe diçka krejtësisht tjetër

Shkup, 22 janar 2024 (MIA) - Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë një zgjedhje të qartë në muajt e ardhshëm, mes vizionit për të vazhduar drejt Evropës dhe diçka krejtësisht tjetër. Do të varet nga qytetarët të vendosin. SHBA-ja dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejtë të jetë e mundur, tha ndihmës sekretari shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Xhejms O'Brajan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Nikolla Kovaçevski, pas takimit të liderëve nga Ballkani Perëndimor, kushtuar planit për rritje të BE-së.

"Ne, si SHBA, besojmë se është në interesin tonë të plotësohen interesat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe të rinjtë të kenë një integrim më të afërt me Evropën. Prandaj më përshtatet që jam këtë javë në Shkup, me kryeministrin në takimin e tij të fundit ndërkombëtar në këtë mandat, por ju siguroj se Maqedonia e Veriut dhe SHBA do të vazhdojnë të punojnë në bashku në trajektoren e vendit drejt Evropës. Populli i këtij vendi do të ketë një zgjedhje të qartë në muajt në vijim, mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe diçkaje krejtësisht tjetër. Do të jetë në dorën e qytetarëve që të vendosin. Nga pikëpamja e SHBA-së, ne duam që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur", tha O'Brajan.

I pyetur për ekzistencën e një "non-pejper" të partive politike shqiptare, me të cilin do të angazhohen që të mos bëjnë koalicion me një parti që nuk do të zbatojë ndryshimet kushtetuese në gjashtë muajt e ardhshëm pas zgjedhjeve, O’Brajan tha se ai nuk dinte asgjë për këtë.

"I qëndroj asaj që thashë në nëntor dhe asaj që thashë sot. Ne besojmë se u takon qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të vendosin për rrugën përpara. Unë besoj se një parti propozon një rrugë përpara dhe pranon kritikat sepse disa njerëzve u pëlqen ose nuk u pëlqen ai drejtim. Një parti tjetër premton se do të gjejë një mënyrë për të ecur përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët e vendit ta pyesin atë parti për këtë non-pejper dhe ata të vendosin mes vizionit që dinë dhe asaj që jepet si premtim", tha O'Brajan. sa/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR