• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nuk ka alternativë tjetër përveç tranzicionit në burime të ripërtërishme të energjisë me bashkëpunimin e sektorit privat dhe atij shtetëror

Nuk ka alternativë tjetër përveç tranzicionit në burime të ripërtërishme të energjisë me bashkëpunimin e sektorit privat dhe atij shtetëror

Shkup, 25 tetor 2023 (MIA) - Një nga qëllimet kryesore të politikës energjetike të Republikës së Maqedonisë së Veriut është tërheqja e investimeve për ndërtimin e objekteve energjetike dhe rritja e shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, përkatësisht investimi në energjinë e gjelbër që do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, theksoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke iu drejtuar Konferencës Inauguruese "Për një të ardhme të gjelbër – udhëzime për tranzicion drejt burime të ripërtërishme të energjisë" e cila u mbajt sot në organizim të Shoqatës maqedonase për energji nga burimet e ripërtërishme (MARES).

Ai theksoi se Qeveria nga fundi i vitit 2019 kishte miratuar Strategjinë e zhvillimit të energjetikës deri në vitin 2040 si një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike për vendin tonë në fushën e energjetikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

"Në Strategjinë në shtyllën dekarbonizim, ndër të tjera, rekomandohet promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë në një mënyrë që siguron zhvillim të qëndrueshëm dhe parashikohet që termocentralet fotovoltaike dhe ato me erë do të jenë teknologjitë me rritje më të shpejtë për prodhimin e energjisë elektrike në të gjithë skenarët, respektivisht planifikohet ndërtimi i elektrocentraleve me erë 750 MW dhe elektrocentraleve fotovoltaike 1400 MW", sqaroi ministri.

Bekteshi informoi se në kohë krize, Qeveria arriti të rrisë prodhimin vendor të energjisë elektrike, po madje edhe të eksportojmë rrymë.

"Për momentin në vendin tonë punojnë centrale fotovoltaike që prodhojnë energji elektrike për 198.000 amvisëri. Për një periudhë prej thuajse dy vjeçare, madje 685 centrale kanë marrë leje pune, e të cilat, sipas përllogaritjeve, mund të furnizojnë me rrymë mbi 160.000 amvisëri me konsum mesatar në 18 qytete. Këtë vit, fillojmë edhe me realizimin e disa projekteve të mëdha investuese, siç është ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë, kemi zgjedhur partner për ndërtimin e hidrocentralit më të madh pompues në Ballkan “Çebren”, që ka rëndësi të madhe për dekarbonizimin dhe tranzicionin e drejtë të energjisë, është hapur një termocentral privat fotovoltaik në vend – “FEC Novaci”, i cili aktualisht është më i madhi në Ballkan. Centrali i ri ka kapacitet të përgjithshëm prej 55 MW dhe është projektuar për të prodhuar 85.000 MWh në vit, që paraqet energji elektrike që do të plotësojë nevojat e 30.000 familjeve, theksoi ai.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë KRRE, Marko Bislimovski, theksoi se beson se për shtatë deri në dhjetë vjet do të ndërtohet bateria më e madhe në shtet dhe në rajon, e ky do të jetë hidrocentrali "Çebren".

"Maqedonia nuk ka mundësi tjetër, ajo duhet të zbatojë tranzicion të shpejtë, ndërsa tranzicion i shpejtë zbatohet me investime në burimet e ripërtërishme të energjisë", theksoi Bislimovski, duke shtuar se në rrugën drejt këtij tranzicioni ata do të përballen me shumë sfida, shumica e të cilave do të jenë në raport me balancimin e sistemit.]

Ai theksoi se ky balancim do të zbatohet me investime të reja në sistemet për magazinimin e energjisë elektrike, respektivisht në bateri, si dhe investime në kapacitete më të mëdha prodhuese që do të përdorin gazin natyror.

Kryetari i Shoqatës Maqedonase për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, MARES, Sllobodan Popovski, bëri të ditur se duke marrë parasysh bilancin energjetik, shteti ynë duhet të kalojë në burime të ripërtërishme të energjisë.

"Republika e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër veçse të bëjë tranzicionin nga burimet fosile në burimet e ripërtërishme të energjisë", theksoi Popovski.

Sekretarja e Përgjithshme e MARES Violeta Nikollova theksoi se qëllimi i konferencës është ndërtimi i një ure ndërmjet sektorit privat dhe atij shtetëror, ku do të kishte një mundësi me iniciativat nga sektori privat dhe problemet e hasura në punën e tyre të arrihen zgjidhje të përbashkëta që do të ishin të qëndrueshme dhe që do të tregonin drejtimin se si të lëvizet drejt atij tranzicioni të gjelbër.

“Qëllimi kryesor i kësaj konference është të promovojmë dhe të tregojë se është themeluar një shoqatë e tillë, të tregojmë se cilat janë mënyrat në të cilat mund të punojmë së bashku dhe përmes gjithë kësaj të krijojmë një platformë ku të gjitha palët do të kenë pjesëmarrje aktive dhe do të arrijmë zgjidhje së bashku”, theksoi Nikollova.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbështet dhe financon shtetin tonë në zhvillimin energjetik.

Konferenca “Për të ardhme të gjelbër – udhëzime për tranzicion drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë”

Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, Fatih Tutmenogllu, theksoi se BERZH-i ka gjetur çelësin e tranzicionit të energjisë elektrike në sektorin privat dhe pikërisht kjo është arsyeja pse mbështet MARES-in.

Drejtori rajonal i BERZH-it Françesco Korbo, theksoi se ata mbështesin Shoqatën për Energji të Ripërtërishme të Maqedonisë meqë beson se bashkimi i investitorëve dhe faktorëve kryesorë të tregut energjetik do të krijojë mjedisin e mirëfilltë për tranzicion të gjelbër.

"Maqedonia ka qëllime mjaft ambicioze për të zëvendësuar thëngjillin me burime të ripërtërishme deri në vitin 2030, dhe për këtë arsye rregulli i bashkimit do të jetë shumë i rëndësishëm për të lehtësuar këtë tranzicion. Prandaj, jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe shpresojmë që sot ky diskutim do të prodhojë shumë ide dhe konfrontim me Autoritetet në mënyrë që të jepet dhe sigurohet mbështetje e mirëfilltë për sektorin energjetik në Maqedoni", theksoi Korbo.

Andrija Oros nga kompania CWP Europe theksoi se kompania ka në plan të zhvillojë rreth 500 megavat burime të ripërtërishme në vendin tonë.

"Projekti i parë në Maqedoni shpresojmë të jetë një elektrocentral me erë. Duke marrë parasysh dinamikën, do të jetë rreth 150 megavatë, derisa projekti më i madh, i cili është diku rreth 350 megavat, do të kërkojë më shumë kohë për t'u përpiluar, e ndoshta do të jetë e domosdoshme  që të arrihet ndonjë partneritet strategjik me shtetin", theksoi Orosi.

Ai potencoi se kompania deri më tani ka bërë projektet më të mëdha në rajon, 600 MW në Rumani, si dhe ferma më e madh me erë në Serbi ishin projektet e CWP. Deri në fund të vitit, në Serbi do të fillojë ndërtimi i 300 megavatëve të tjerë energji me erë dhe 150 megavatëve në energji diellore.

Në shtetin tonë, sipas Strategjisë së Qeverisë, parashikohet që deri në vitin 2030 të realizohet tranzicioni i gjelbër, respektivisht, burimet e papërtërishme të energjisë do të zëvendësohen me ato të ripërtërishme. Shprehur në shifra, një kapacitet i instaluar prej 1.000 megavat duhet të zëvendësohet nga një kapacitet i instaluar prej 4.000 megavat, sepse një megavat nga thëngjilli nuk është i njëjtë me një megavat nga energjia e ripërtërishme. Me qëllim të integrimit më të shpejtë të këtij tranzicioni, tetë investitorë, me një portofol të përbashkët investimesh prej rreth një miliardë euro, formuan Shoqatën maqedonase të energjisë nga burimet e ripërtërishme MARES.

Foto: Ministria e Ekonomisë/MARES

QËNDRONI TË LIDHUR