Një valë e re shkarkimesh nga puna në kompanitë teknologjike botërore
- Vetëm pak javë pas fillimit të gjysmës së dytë të vitit, industria e teknologjisë është tronditur nga një valë e re shkurtimesh vendesh pune në kompanitë më të mëdha në botë.
- Post By Sara Ademi
- 19:14, 24 korrik, 2025
San Francisko, 24 korrik 2025 (MIA) - Vetëm pak javë pas fillimit të gjysmës së dytë të vitit, industria e teknologjisë është tronditur nga një valë e re shkurtimesh vendesh pune në kompanitë më të mëdha në botë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga "Brixh Kronikl" (The Bridge Chronicle), më shumë se 100,000 njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës, të udhëhequr nga Intel me më shumë se 12,000 shkurtime vendesh pune në të gjithë botën.
Më pas vjen Majkrosoft (Microsoft), i cili pushoi nga puna 10.000 punonjës në disa departamente, duke përfshirë cloud-in, lojërat (së bashku me studiot e zhvillimit) dhe harduerin.
Meta ka pushuar nga puna rreth 8,000 punonjës, pavarësisht se ka ofruar bonuse prej 100 milionë eurosh për punësime të reja në fushën e inteligjencës artificiale dhe po ndërton me shpejtësi qendra të dhënash për inteligjencën artificiale. Ndër kompanitë që kanë kryer gjithashtu pushime të mëdha nga puna janë Amazon, Gugël, Sejlsfors dhe Cisko.
Pritjet se Intel do të shkurtonte fuqinë punëtore kanë qenë në rritje që nga raporti i saj financiar katastrofik në gusht të vitit 2024. Drejtori i ri ekzekutiv Lip-Bu Tan filloi shkurtimin e fuqisë punëtore me 20 përqind në prill dhe i gjithë divizioni i çipave të automobilave thuhet se u mbyll në qershor. Po atë muaj, numri i punonjësve në fabrikën e saj në Oregon u shkurtua gjithashtu dhe kanë dalë zëra se janë planifikuar shkurtime të tjera nga puna.
Ndryshe nga Intel, kompanitë e tjera që kanë pushuar nga puna mijëra njerëz nuk po vuajnë nga rezultate të dobëta financiare. Ndryshimi i prioriteteve dhe teknologjitë e reja, kryesisht inteligjenca artificiale (IA), i kanë detyruar ato të përshtasin operacionet e tyre. sa/
Foto: MIA