• e hënë, 23 dhjetor 2024

Një miliardë dollarë këmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Një miliardë dollarë këmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Shkup, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Këmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë arriti një miliardë dollarë. Edhe pse ky vit ishte i rëndë, bizneset nga të dy vendet realizuan shumë projekte, bashkëpunuan në çdo fushë dhe arritën një rezultat të lakmueshëm. Këtë e theksoi kryetari i Bordit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë - Turqisë (MATTO) Ajdovan Ademoski në fjalimin e mbrëmshëm në ngjarje me rastin e aktiviteteve në 12 muajt e fundit.

Në ngjarjen që e organizoi MATTO morën pjesë përfaqësues qeveritar dhe nga bashkësia e biznesit, organizata joqeveritare dhe përfaqësues të mediave.

"Së bashku kemi realizuar shumë projekte, kemi bashkëpunuar në çdo fushë dhe si rezultat kemi arritur një miliardë dollarë në tregtinë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë. Shpresojmë të arrijmë të paktën të njëjtat rezultate në të ardhmen. Kemi kaluar një vit të vështirë, kemi përjetuar kriza ekonomike dhe energjitike, kemi përjetuar fatkeqësi natyrore. Pavarësisht kësaj, më e rëndësishmja, ne arritëm të ruanim unitetin dhe solidaritetin tonë. U bashkuam si dy kombe për të kapërcyer të gjitha vështirësitë. Më 6 shkurt, një tërmet shkatërrues ndodhi në Turqi. U prekën 11 provinca, humbën jetën rreth 50 mijë njerëz, u shkatërruan mbi 500 mijë ndërtesa dhe u regjistruan dëme mbi 100 miliardë euro. Republika e Maqedonisë së Veriut e simpatizoi popullin vëllazëror turk që në momentin e parë. U mobilizuam të gjithë, shteti, organizatat joqeveritare, Kryqi i Kuq, mbarë populli i Maqedonisë dhe siguruam mbështetje materiale dhe financiare në vlerë prej mbi tre milionë euro dhe mbi 60 kamionë ndihma materiale", theksoi Ademoski.

Ai iu referua projektit të përfunduar i cili, tha ai, është urë lidhëse mes dy shteteve dhe dëshmi e miqësisë së dy popujve.

"Nën kujdesin e MATTO-s, në një sipërfaqe prej 8,656 metrash katrorë në Malatia të Republikës së Turqisë, u ndërtua shkolla e mesme me emrin "Maqedonia". Ka 24 paralele dhe secila ka emrin e një qyteti të Maqedonisë - Shkup, Manastir, Kalkandelen, Tetovë, Ohër, Shtip, Kumanovë", theksoi Ademoski. sa/

Foto: MATTO

QËNDRONI TË LIDHUR