Nikolloski: Në vjeshtë do të mbahen vetëm zgjedhjet lokale, nuk pres që Taravari të bashkëpunojë me BDI-në, me çfarë do të bënte vetëvrasje politike
- Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski thotë se çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale është një çështje e mbyllur dhe se në vjeshtë qytetarët do të votojnë vetëm për këshilltarë komunalë dhe kryetarë komunash, ndërsa në vitin 2028 do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 21:16, 28 prill, 2025
Shkup, 28 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski thotë se çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale është një çështje e mbyllur dhe se në vjeshtë qytetarët do të votojnë vetëm për këshilltarë komunalë dhe kryetarë komunash, ndërsa në vitin 2028 do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.
"Qytetarët vitin e kaluar e shprehën qartë vullnetin e tyre dhe thanë se kush mendon se duhet ta udhëheqë qeverinë. Ne kemi një shumicë prej pothuajse dy të tretash prej 78 deputetë, ndërsa ka interes për ta rritur këtë numër. Dhe nëse do të donim, ndoshta mund të shkonim mbi 81-82 deputetë pa asnjë problem. Ashtu që, mendoj se qytetarët vitin e kaluar ishin të qartë dhe të vendosur. Ka zgjedhje të rregullta lokale. Do të dalin qytetarët, do të thonë se cilët duan të jenë këshilltarët e tyre, kryetarë të komunve dhe kaq për aktivitetet zgjedhore të këtij viti. Zoti shëndet, në vitin 2028 do të përballemi përsëri në zgjedhjet parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur. Në vjeshtë do të ketë kemi vetëm zgjedhje lokale", thekson Nikollovski në një intervistë për "360 Gradë".
Lidhur me trazirat në koalicionin shqiptar "Vlen" që është pjesë e Qeverisë dhe informacionet se lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, po negocion me BDI-në, ministri Nikolloski thotë se nuk ka paralajmërim zyrtar nga Taravari se do të bëjë koalicion me BDI-në, por nëse kjo ndodh, atëherë realiteti do të ndryshojë.
"Ai ka shumë përvojë politike. Unë ndoshta më shumë nga të gjithë që jemi në Qeverinë aktuale e kam kritikuar, por nëse e lëmë këtë mënjanë, fakti është se ai ka përvojë politike dhe nuk mendoj se është deri aq, ose për ta thënë anasjelltas - naiv, sa të hyjë në bashkëpunim me BDI-në. Mendoj se edhe publiku e nënvlerëson pak dhe nuk pres që ai të ndërmarrë një hap ku do të kryente vetëvrasje politike. Do të habitesha nëse ai do të tregonte një naivitet të tillë politik. Kuptohet, nuk e përjashtoj një skenar të tillë, por do të habitesha shumë nëse do të ndodhte", thotë Nikolloski.
Sipas tij, përveç bashkëpunimit të mundshëm me BDI-në, nuk ka arsye të tjera pse VMRO-DPMNE ose Kryeministri do të mendonin për ndërprerjen e partneritetit me Taravarin, sepse si ministër ai gëzon besim në mesin e anëtarëve të kabinetit të Kryeministrit Hristijan Mickoski.
Për trazirat në "Vlen", u bën apel partnerëve në këtë koalicion që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe t'i tejkalojnë mosmarrëveshjet.
Foto: Arkivi i MIA-s