• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nikolloski: Këshilli i Evropës të vendosë sanksione ndaj Bullgarisë për moszbatimin e aktvendimeve të Gjykatës së Strasburgut

Nikolloski: Këshilli i Evropës të vendosë sanksione ndaj Bullgarisë për moszbatimin e aktvendimeve të Gjykatës së Strasburgut

Shkup, 27 prill 2023 (MIA) - Këshilli i Evropës duhet ta dënojë Bullgarinë dhe të vendosë sanksione për ta detyruar të zbatojë aktvendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si edhe vendet e tjera që refuzojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara, ka kërkuar deputeti dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Siç thuhet qartë në përmbledhjen e këtij Raporti, theksoi ai, zbatimi i aktvendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është prioritet për Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës. Nikolloski ka thënë se të gjitha shtetet duhet t'i zbatojnë, me vullnet të mire dhe pa shtyrje, aktvendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me qëllim zbatimin e tyre në kohë dhe se shtetet duhet të kenë mekanizma efektivë koordinues me hierarki dhe resurse të mjaftueshme.

"Do të flas për Bullgarinë e cila sipas këtij Raporti është vendi i shtatë me numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura. Bullgaria nuk ka zbatuar gjithsej 166 aktvendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. A mund të imagjinoni një shtet anëtar të Bashkimit Evropian i cili vendos veto ndaj vendit tim Maqedonisë, e cila po përpiqet të hapë negociatat paraqasëse me BE-në, duke mos zbatuar vendimet e Gjykatës Evropiane dhe njëkohësisht të flet për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në vende të tjera, sa e turpshme është kjo! Poashtu sa i përket rasteve kryesore nën "mbikëqyrje të përforcuar" Bullgaria është në vendin e 6-të nga fundi. Nga të gjitha këto raste, 16 kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut të maqedonasve që jetojnë në Bullgari", thekson Nikolloski.

Siç ka kumtuar VMRO-DPMNE, Nikolloski ka thënë se janë 16 aktvendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kanë të bëjnë me maqedonasit në Bullgari dhe deri tani, sipas tij, “asnjë prej tyre nuk janë zbatuar nga Sofja”.

"Asnjë! Ky është një cenim i fortë i besueshmërisë së Gjykatës dhe prandaj Këshilli i Evropës duhet të veprojë. Në kushte të luftës në Ukrainë kur nuk respektohen të drejtat e njeriut, shembulli i dytë i keq është Bullgaria. Kjo doemos të ndalet", ka thënë Nikolloski.

Në fjalën e tij ai përmendi dy nga 16 aktvendimet e Gjykatës Evropiane që për të në mënyrë simbolike tregojnë se ku ndodhet Bullgaria në këtë proces.

"E para është mbi refuzimin të regjistrohet 'Klubi maqedonas për tolerancë etnike në Bullgari'. Çka është kontestuese nëse regjistrohet një Klub maqedonas për tolerancë etnike, kur toleranca etnike është qëllimi më i lartë i Këshillit të Evropës? Aktvendimi i dytë i referohet edhe 'Shoqërisë së maqedonasve të shtypur në Bullgari, viktima të terrorit komunist'. Komunizmi ka sunduar në Bullgari për 45 vjet dhe nuk shoh arsye që Bullgaria të mos përballet me të kaluarën e saj dhe të mos pranojë se ka viktima të terrorit komunist ku ndër të tjera, kanë vuajtur edhe për shkak se kanë qenë maqedonas", ka thënë në fjalimin e tij Nikolloski.

Foto: VMRO-DPMNE

QËNDRONI TË LIDHUR