• e premte, 05 dhjetor 2025

Nikolloski: I fillojmë projektet strategjike të korridoreve, e kemi zgjedhur Evropën për partner në realizimin

Nikolloski: I fillojmë projektet strategjike të korridoreve, e kemi zgjedhur Evropën për partner në realizimin

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Në Maqedoni në këtë moment i realizojmë projektet më të mëdha kapitale në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në korridoret transportuese 8 dhe 10. Kemi vizion që përmes zhvillimit të infrastrukturës të kontribuojmë për zhvillim rajonal, për stabilizimin ekonomik dhe transport të shpejtë dhe të sigurt drejt Evropës Qendrore dhe Juglindore, tha sot zëvendës kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoillovski në panel diskutimin në Forumin ekonomik në Vjenë.

Duke i prezantuar projaktet kapitale, ai potencoi se në shtet po punohet në ndërtimin e autostradave të reja të Korridorit 8, në vendkalimet kufitare, si dhe në modernizimin e Korridorit të 10. Nikollovski po ashtu theksoi se sfidë është zhvillimi i rrjetit hekurudhor përmes ndërtimit të hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10, i cili do të ketë ndikim të fuqishëm ndaj transportit ndërkombëtar. Foli edhe për lidhjen hekururdhore me Bullgarinë të Korridorit 8, ku me aktivitetet e filluara shpreson se deri vitin 2031 do të ketë linjë të rregullt nga Shkupi përmes Sofjes deri në Burgas. I prezantoi edhe planet për lidhje hekurudhore me Shqipërinë. 

Nikolloski tha se Qeveria aktuale, pasi u zgjodh në qershor të vitit të kaluar, miratoi një agjendë shumë ambicioze investimi dhe filloi zhvillimin e Korridoreve 8 dhe 10, duke përdorur lokacionin e favorshëm gjeografik edhe pse është pa dalje në det.

"Jemi me fat që njëri nga korridoret evropiane kalon në lindje të kryeqytetit tonë Shkup, Korridori 10, korridori më i gjatë pan-evropian që fillon në Athinë, në portin Perea dhe përfundon në Finlandë, respektivisht i gjithë korridori veriperëndimor evropian, dhe i dyti është Korridori 8, i cili lidh Detin Jon dhe Adriatik me Detin e Zi, ky është korridori lindje-perëndim i Evropës Juglindore. Kjo është një mundësi e madhe për ne që duam ta shfrytëzojmë dhe kemi filluar shumë ambiciozisht me zhvillimin e këtyre korridoreve", tha Nikolloski.

Ai shtoi se gjendja e pjesës autostradale të Korridorit 10 nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë është e mirë, për dallim nga nga Korridori 8, ku tha se nuk është kështu dhe zhvillimi i tij ka filluar dhe se përveç atyre të ndërtuara, po ndërtohen autostrada nga kufiri me Shqipërinë deri në kufirin me Bullgarinë. Po punohet gjithashtu për rindërtimin dhe përmirësimin e pikave kufitare me qëllim uljen e kohës së pritjes në pikat kufitare.

"Investimi i përgjithshëm në autostrada dhe rrugë eksprese në Korridorin 8 do të jetë rreth 1,5 miliardë euro, që për ekonominë tonë është vërtet diçka e madhe dhe diçka me rëndësi. Ne po zhvillojmë gjithashtu Korridorin 10d - korridorin që shkurton distancën midis Athinës dhe Shkupit. Nëse aktualisht duhen tetë deri në tetë orë e gjysmë për të udhëtuar, kjo do ta shkurtojë atë në pesë deri në pesë orë e gjysmë. Nga ana jonë, ne po ndërtojmë autostradën më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në vend, rreth 55 kilometra, ndërsa nga ana tjetër, grekët gjithashtu po ndërtojnë dhe kjo është pjesa që mungon në mozaikun, kështu që shpresoj që kur të udhëtoni nga Vjena për në Athinë, do të shkurtoni të paktën tre orë me atë që po ndërtojmë tani", tha Nikolloski.

Hekurudha, theksoi ai, është sfidë e madhe për ne, por në të njëjtën kohë edhe mundësi e madhe.

"Kemi një program ambicioz për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë, trenat për udhëtarë do të ecin me 250 kilometra në orë, por ajo që është e rëndësishme janë trenat transportuese që do të ecin me 140 kilometra në orë, me trenat më të gjatë të mundshëm që ecin nëpër Evropë për momentin, trena 750 metra të gjatë", tha Nikolloski.

Ai theksoi se për zbatimin e projekteve strategjike në korridoret transportuese, vendi ka zgjedhur Evropën si partner në zbatim.

Pasi nuk jemi anëtarë të BE-së, theksoi zëvendëskryeministri, kishim dy alternativa: "Të nënshkruajmë me kinezët, nuk është sekret që ata erdhën ditën e parë që filluam si qeveri, ata ofruan një kredi pa interes, nëse ndërtojmë me ta. Por ne menduam se ishte me rëndësi jetike për Evropën, sepse korridoret, veçanërisht ato hekurudhore, përdorin sinjalistikë shumë inovative që mund të përdoret për gjëra të tjera, përveç hekurudhës, vendosëm të nënshkruajmë një marrëveshje për një partneritet strategjik me Britaninë e Madhe".

"Kemi pesë miliardë funta, gjashtë milionë euro në dispozicion, nga të cilat dy do të përdoren për këtë projekt, me kushte të mira, për fat të keq nuk mund t'i ndaj kushtet tani, sepse janë ende konfidenciale, por kur të zbulohen, mendoj se të gjithë do të dakordohen se janë të favorshme. Presim të fillojmë vitin tjetër dhe të përfundojmë në vitin 2031, sepse bëhet fjalë për një linjë me dy binarë, e para, ajo transportuese që do të përfundojë në vitin 2028. Presim që vetëm nga Korridori 10 në vitin e parë pas përfundimit të hekurudhës, të kemi të ardhura nga përdorimi i hekurudhës prej rreth 120 milionë euro, vetëm për tranzit. Të ardhurat aktuale janë 12 milionë, vetëm për krahasim, e pastaj do të rriten, kështu që mund ta imagjinoni se çfarë bumi do të jetë për ekonominë e Austrisë, të Hungarisë, sepse këto janë portet tokësore nga ku mallrat lëvizin në pjesën tjetër të Evropës", tha Nikolloski.

"Pres përparim të mirë. Kemi tre pjesë për të lidhur kryeqytetin me kufirin me Bullgarinë. E para është tashmë në funksion, që nga janari i këtij viti, e dyta do të jetë gati në tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa e treta, po bashkëpunojmë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe shpresoj që ndryshimet nuk do të na marrin shumë kohë, sepse dhash premtim politik se do ta shpall tenderin në dhjetor, por varet se sa kohë do të zgjasë hulumtimi i tregut. Shpresoj se nuk do të jenë tre muaj dhe se do të jemi në gjendje ta shpallim thirrjen në dhjetor, kështu që do të jem në gjendje t'ju ftoj në pranverë për ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të pjesës së tretë të autostradës që duhet të na lidhë me Bullgarinë", theksoi Nikolloski.

Nga ana jonë, siç deklaroi, ne tashmë po investojmë rreth 800 milionë euro, bullgarët po investojnë 1,2 miliardë euro, respektivisht, gjithsej do të shpenzojmë rreth dy miliardë euro së bashku për të lidhur Shkupin dhe Sofjen - diçka që është një ëndërr e shumë gjeneratave, diçka që e kemi mësuar në shkollën fillore, në shkollën e mesme.

Nikolloski shpreson që edhe Shqipëria do t'i bashkohet ciklit të investimeve në mënyrë që lidhja të ketë kuptim.

"Sfida tjetër është të zhvillohet krahu perëndimor i hekurudhës dhe që Shqipëria të bëjë të njëjtën gjë, kështu që shpresojmë që deri në vitin 2031 së pari të kemi një linjë të rregullt nga Shkupi përmes Sofjes për në Burgas, e pastaj, varësisht nga shpejtësia e miqve tanë shqiptarë, ta lidhim edhe Detin Jon", tha Nikolloski. bsh/

Foto: Ministria e Transportit

QËNDRONI TË LIDHUR