• e mërkurë, 02 tetor 2024

Nikolloski: Çdoherë që në Bullgari ka zgjedhje keqpërdoret tema e Maqedonisë

Nikolloski: Çdoherë që në Bullgari ka zgjedhje keqpërdoret tema e Maqedonisë

Shkup, 29 gusht 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, vlerëson se procesi i ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë dhe korniza negociuese janë tema kryesore në mediat bullgare sa herë që ka zgjedhje në Bullgari.

"Kjo nuk është politikë e djeshme e Bullgarisë. Kjo është politikë e Bullgarisë të cilën e kemi në vazhdimësi që nga viti 2020. Së dyti, sa herë që në Bullgari ka zgjedhje keqpërdoret tema e Maqedonisë. Nuk e di tani, nuk jam i sigurt se kur janë zgjedhjet e tyre sa që janë aq jofunksional sa që nuk mund të caktojnë zgjedhje, kjo është qeveria e tyre e shtatë apo e tetë teknike, nuk mund të gjejnë njerëz për qeverinë teknike. Pra, së pari le t'i rregullojnë punët e tyre në shtëpi, le të zgjedhin qeveri politike dhe ne do të ulemi të flasim me qeverinë politike. Nuk kam ndërmend t'u përgjigjem njerëzve që kërkojnë pikë politike dhe që janë të margjinalizuar politikisht në Bullgari për momentin, sepse janë përfaqësues të qeverisë që nuk kanë legjitimitet nga askush", tha Nikolloski i pyetur për të komentuar reagimin e fundit nga MPJ bullgare se "udhëheqësia në Shkup do të duhej ta kishte të qartë se përpjekjet për hedhje të idesë për rinegocim mund të çojnë vetëm në një distancë të re nga fillimi i negociatave".

Lidhur me ndryshimet në Ligjin për media, ai tha se operatorët kabllovik duhet të respektojnë obligimet e tyre.

"Operatorët kabllovik duhet të respektojnë detyrimet e ligjit. Ligji është shumë i qartë dhe thotë se televizionet kombëtare duhet të kenë marrëveshje për dëmshpërblim me operatorët kabllovik që në thelb është logjike duke pasur parasysh se qytetarët për të parë televizionin kabllovik paguajnë kompensim për operatorët kabllovik dhe është logjike që një pjesë e asaj tarife operatorët kabllorë duhet t'ua paguajnë televizioneve ashtu siç i paguajnë kanaleve të huaja që transmetojnë", ka thënë Nikolloski në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Sa i përket piraterisë, shtoi se ligji e thotë qartë se duhet të ketë marrëveshje të qarta për mbrojtjen e të drejtave intelektuale dhe të autorit në të gjitha kanalet që transmetohen për publikun, si dhe për xhirimet, ritransmetimet etj.

"Mediat në këtë rast, pra televizionet kanë mbështetjen time të plotë", tha Nikolloski.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR