Nga sot pacientë do të dërgohen edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë, ekipe të mjekëve nga Çekia dhe Izraeli tashmë ndodhen në vend
- Numri i personave të hospitalizuar të cilët morën djegie në zjarrin në diskotekën në Koçan kalon 160-170 së bashku me 16 të pranuar në spitalet private. Në një afat të shkurtë, për 24 orë të gjithë janë nën përkujdesje dhe ndaj të gjithëve është vepruar në mënyrë adekuate, ndërsa mbi 70 pacientë janë transportuar jashtë vendit. Duke qenë se janë mbushur kapacitetet te fqinjët, nga sot do të dërgohen pacientë edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë. Ekipi i mjekëve nga Çekia dhe Izraeli po u ndihmojnë mjekëve tanë, ndërsa një ekip nga Britania do të mbërrijë sot në vend për të ndihmuar në përgatitjen e fazës tjetër - rehabilitimin e të lënduarve, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski i cili e vizitoi SPQ "8 Shtatori" së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:54, 18 mars, 2025

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Numri i personave të hospitalizuar të cilët morën djegie në zjarrin në diskotekën në Koçan kalon 160-170 së bashku me 16 të pranuar në spitalet private. Në një afat të shkurtë, për 24 orë të gjithë janë nën përkujdesje dhe ndaj të gjithëve është vepruar në mënyrë adekuate, ndërsa mbi 70 pacientë janë transportuar jashtë vendit. Duke qenë se janë mbushur kapacitetet te fqinjët, nga sot do të dërgohen pacientë edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë. Ekipi i mjekëve nga Çekia dhe Izraeli po u ndihmojnë mjekëve tanë, ndërsa një ekip nga Britania do të mbërrijë sot në vend për të ndihmuar në përgatitjen e fazës tjetër - rehabilitimin e të lënduarve, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski i cili e vizitoi SPQ "8 Shtatori" së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski.
Sipas Klekovskit, të gjithë pacientët janë gjallë dhe siç theksoi, ky është një sukses i madh, ndërsa ata në gjendje kritike janë dërguar në qendra të specializuara jashtë vendit.
"I siguroj familjarët se të gjithë pacientët deri tek i fundit janë të mobilizuar dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për trajtimin e tyre. Nuk ka asnjë pacient në gjendje kritike që nuk përkujdeset në institucionin e djegieve dhe Qeveria u ka mundësuar prindërve të jenë me fëmijët e tyre", theksoi Klekovski, duke shtuar se kjo nuk është një betejë 72 orëshe, por do të zgjasë me javë dhe muaj.
Drejtori i Fondit theksoi gjithashtu se të dhënat për pacientët nuk do të zbulohen personalisht.
Drejtori i SPQ “8 Shtatori”, Sinisha Stojanoski, informoi se për momentin nuk ka asnjë pacientë në gjendje kritike, të gjithë janë në gjendje stabile. Shumica kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, kryesisht në kokë dhe duar. Lëndime të tjera përfshijnë thithjen e ajrit të nxehtë dhe tymit, si dhe lëndime traumatike dhe fraktura.
"Spitali" kujdeset për të gjithë pacientët dhe për ata që do të dërgohen këtu, ekipi po bën përpjekje të parezervë. Protokollet po respektohen maksimalisht, djegiet janë plagë të hapura dhe bëhet kujdes që të parandalohen infeksionet e mundshme", deklaroi Stojanoski.
Kryeministri Mickoski apelon te të gjithë ata që kanë qenë në afërsi të ngjarjes së tmerrshme të drejtohen te mjeku, pavarësisht nëse ndjejnë ndonjë problem apo jo.
"Si Qeveri, ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar jetë njerëzish. Një pjesë e madhe, mbi 70, 80 pacientë, janë jashtë vendit. Sot në Selanik ndodhen edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe ministri i Shëndetësisë dhe prej aty do të shkojnë në Sofje për të vizituar disa nga pacientët që po trajtohen. Për një orë e gjysmë kemi seancën e Qeverisë, do ta konfirmojmë vendimin për mbulimin e shpenzimeve të dy anëtarëve të familjes për të shkuar atje ku janë duke u kujdesur si dhe transportin dhe akomodimin”, theksoi Mickoski.
Foto: printskrin