• e mërkurë, 19 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Debati kryesor nga rigjykimi për spitalin modular në Tetovë do të vazhdojë në prill

Debati kryesor nga rigjykimi për spitalin modular në Tetovë do të vazhdojë në prill

Tetovë, 18 mars 2024 (MIA) - Të akuzuarit në spitalin modular në Tetovë, në rigjykimin që filloi sot në Gjykatën Themelore të Tetovës, u deklaruan të pafajshëm. Pas rreth pesë orë nga shqyrtimi kryesor, gjatë të cilit janë prezantuar video xhirimet në Spitalin Klinik të Tetovës nga 8 shtatori i vitit 2021, kur ka rënë zjarri, Gjykata ka vendosur që seanca të vazhdojë më 3 prill në ora 10:00.

Në seancën e sotme përfaqësuesi i aktakuzës i lexoi titujt e dëshmive, ndërsa për disa prej tyre mbrojtja ngriti kundërshtime.

Më pas, Prokuroria për pothuajse tre orë transmetoi video materiale të grumbulluara në fazën e hetimit. Janë transmetuar video xhirime nga video mbikëqyrjet në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021, kur ka shpërthyer zjarri, si dhe video materiali i xhiruar nga një ekip televiziv i destinuar për raportim gazetaresk më 1 shtator të vitit 2021.

"Për shkak të përfundimit të orarit të punës të gjykatës, seanca shtyhet për datën 03.04.2025 në ora 10:00", tha gjyqtari Rexhep Musa.

Të pandehurit, drejtorët e atëhershëm Florin Besimi dhe Artan Etemi, u deklaruan të pafajshëm për veprën penale "krime të rënda kundër sigurisë publike". Gjithashtu përfaqësuesi i personit juridik ISHP Spitali Klinik për veprën penale "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" theksoi se nuk ndihen përgjegjës.

Deri te ky rigjykim erdhi pasi që Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi në prill të vitit 2024 për rigjykim të dy ish-drejtorëve dhe Spitalit Klinik si person juridik. Procesi ishte dashur të fillonte më 26 qershor 2024, por u shty për në 25 shtator 2024, më pas në 5 nëntor 2024 dhe në 15 janar 2025.

Më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore e Tetovës shqiptoi dënim me kusht për drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale "vepra të rënda kundër sigurisë publike", ndërsa personi juridik ISHP Spitali Klinik është shpallur fajtor për veprën “shkaktim i rrezikut publik", në procesin gjyqësor pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë në vitin 2021 kur jetët i kanë humbur 14 persona. Gjykata atëherë vendosi ta lirojë doktor Boban Vuçevskin dhe Spitalin Klinik për veprën "mosrespektim i rregullave shëndetësore".

Sipas aktgjykimit, të pandehurit Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, me kusht, ndërsa dënimi me burg nuk do të kryhet nëse të pandehurit nuk kryejnë vepër të re brenda tre viteve.

Për zjarrin në spitalin modular të Tetovës që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona, më 27 korrik 2022, Prokuroria pas dhjetë muajsh të procedurës hetimore ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Tetovës.

Gjykim i parë filloi më 7 dhjetor të vitit 2022, pasi që deri atëherë kishte katër anulime. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR