Ndahet nga jeta një nga aktoret më të mëdha të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa
- Një nga aktoret më të mëdha të teatrit dhe filmi shqiptar, Margarita Xhepa është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Sipas mediave në Shqipëri, aktorja ndërroi jetë sot në mëngjes rreth orës 3:00 në një spital në Tiranë. Ajo një kohë të gjatë ka vuajtur nga një sëmundje e mushkrive.
- Post By Besnik Shuki
- 13:43, 3 prill, 2025

Tiranë, 3 prill 2025 (MIA) - Një nga aktoret më të mëdha të teatrit dhe filmi shqiptar, Margarita Xhepa është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Sipas mediave në Shqipëri, aktorja ndërroi jetë sot në mëngjes rreth orës 3:00 në një spital në Tiranë. Ajo një kohë të gjatë ka vuajtur nga një sëmundje e mushkrive.
Margarita Xhepa në banesën e fundit do të përcillet nesër, ndërsa homazhet do të mbahen nga ora 10:00 deri në orën 13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Aktorja Xhepa u lind më 2 prill të vitit 1934, në Lushnjë, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj. Gjatë karrierës së saj të pasur, Xhepa interpretoi mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek "Hamleti", vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.
Ajo në vitin 1997 interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e madh në Festivalin ndërkombëtar të Filmit mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa fitoi çmimin e Nderit.
Në vitin 2007 iu nda “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.
Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një repertoar prej 32 roleve. Disa prej personazheve që interpretoi janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976). bsh/