• e diel, 22 dhjetor 2024

NATO: Ekziston një rrezik i konsiderueshëm nga një sulm rus në infrastrukturën kryesore në Evropë ose Amerikë

NATO: Ekziston një rrezik i konsiderueshëm nga një sulm rus në infrastrukturën kryesore në Evropë ose Amerikë

Bruksel, 5 maj 2023 (MIA) - Ekziston "rrezik i konsiderueshëm" që rusët të sulmojnë infrastrukturën kyçe në Evropë ose Amerikën e Veriut, duke përfshirë gazsjellësit dhe kabllot e internetit, paralajmëroi Dejvid Katler, ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, përgjegjës për sigurinë.

Para gazetarëve ai tha se Rusia po "hartëzon në mënyrë aktive" infrastrukturën e aleatëve ukrainas si në det ashtu edhe në tokë, shkruan Politiko.

Shërbimet e inteligjencës ushtarake dhe civile të Moskës kanë "burime të rëndësishme" që presidenti rus Vladimir Putin mund t'i përdorë për të monitoruar infrastrukturën, "duke përfshirë përdorimin e anijeve civile dhe të ashtuquajturat anije spiune", shtoi Katler.

Kërcënimi për tubacionet nënujore, që transportojnë gaz në Evropë, u ekspozua qartë nga sabotimi i gazsjellësit Rrjedha veriore në Baltik shtatorin e kaluar. Katler thotë se kabllot nënujore, të cilat bartin deri në 95 për qind të trafikut të internetit, janë gjithashtu në rrezik.

Ne shohim një rrezik të rëndësishëm që Rusia mund të sulmojë potencialisht infrastrukturën kryesore në Evropë dhe Amerikën e Veriut si pjesë e luftës së saj kundër Ukrainës, tha ai. "Rusët janë më aktivë në ato zona sesa ishin vitet e fundit. Patrullat e tyre në Atlantik janë në nivele më të larta se vitet e fundit. Anijet ruse po marrin gjithashtu më shumë rreziqe në Detin Baltik dhe atë të Veriut", shtoi ai.

Pas shpërthimeve të Rrjedhës veriore, të cilat po hetohen nga tre vende të ndryshme, NATO ka ngritur një "qeli" të re në selinë e saj në Bruksel për të koordinuar përpjekjet për mbrojtjen e infrastrukturës nënujore. Asnjë hetim nuk ka arritur ende në përfundimin se kush ishte përgjegjës për sulmin në Rrjedhën veriore, por qeveritë perëndimore menjëherë dyshuan Rusinë. Javën e kaluar, autoritetet daneze konfirmuan se një anije e marinës ruse që mbante një nëndetëse ishte parë në zonë përpara sulmit. Kreu i qelisë së re, gjeneral nënkolonelo Hans-Verner Virman tha se incidenti me Rrjedhën veriore e tregoi "rrezikun e qartë dhe aktual në të cilin ndodhet infrastruktura jonë kryesore nënujore".

Mbështetja e Perëndimit në një infrastrukturë të tillë po rritet, shtoi Virman, ndërsa fluksi i të dhënave mbi kabllot nëndetëse është në rritje, siç është edhe kalimi në energjinë e gjelbër të udhëhequr nga turbinat e erës në det të hapur, për të cilin shkak sa më shumë energji elektrike transmetohet në tokë nëpërmjet infrastrukturës nënujore.

Vendet anëtare të NATO-s kanë rritur patrullimet detare, thotë Virmann, ndërsa ushtritë po punojnë më mirë me operatorët privatë të infrastrukturës për të rritur sigurinë. "Kemi rritur aktivitetet tona të vëzhgimit, si dhe numrin e anijeve që patrullojnë në Detin e Veriut dhe atë Baltik. Megjithatë, ne duhet të bëjmë më shumë, tha ai.

Katler vlerëson se Moska mund t'i shohë sulmet ndaj infrastrukturës si një mënyrë për të "ndërprerë jetën në Perëndim dhe për të treguar fuqi mbi vendet që mbështesin Ukrainën". “Kur shikoni provat e aktiviteteve të tyre aktuale, vendet që po eksplorojnë dhe i lidhni me infrastrukturën kryesore nënujore, është e qartë për ju se ata të paktën po dërgojnë sinjale që kanë synimin dhe aftësinë për të marrë veprime në atë zonë nëse ata vendosin", tha Katler.

Kabllot e internetit konsiderohen si një pjesë kryesore e cenueshme e infrastrukturës.

"Pak njerëz e kuptojnë se sa të varur jemi nga një numër shumë i kufizuar kabllosh me fibra optike, të cilat formojnë shtyllën e internetit dhe lidhin kontinentet tona," tha Katler.

Ai shtoi se në botë ka vetëm rreth 400 kabllo të internetit nënujore, ndërsa gjysma e tyre mund të konsiderohen kyçe.

"Në total, ato transmetojnë çdo ditë transaksione financiare me vlerë rreth 10 trilion dollarë. Këto kabllo janë shtylla kurrizore e ekonomisë, theksoi ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s", përgjegjës për sigurinë. ls/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR