• e shtunë, 23 nëntor 2024

Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, duhet t'i përmendim ata që kërcënojnë të ardhmen evropiane, thotë Osmani

Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, duhet t'i përmendim ata që kërcënojnë të ardhmen evropiane, thotë Osmani

Shkup, 15 nëntor 2023 (MIA) - Shefi i Diplomacisë Bujar Osmani një muaj para mbajtjes së Këshillit Evropian, mbetet optimist se ndryshimet kushtetuese mund të miratohen, dhe se nuk do të ndalen deri në momentin e fundit të punojnë për ta shfrytëzuar këtë moment të papërshëritshëm për shteg të shpejtë të anëtarësimit në BE, në të kundërtën thotë, duhet me emër dhe mbiemër të theksohen ata që e kërcënojnë të ardhmen evropiane të vendit.

"Nuk mund të them prej tani e tutje që e humbasim rastin. Mendoj se duhet të punojmë deri në frymën e fundit, deri në gurin e fundit që kemi përpara për të bërë ndryshimet kushtetuese dhe për të bërë një hap përpara me këtë shans. Por nëse nuk ia dalim, do të duhet të përmendim ata që kërcënojnë të ardhmen evropiane, që pengojnë prosperitetin e këtij vendi, reformat, sundimin e ligjit, që pengojnë standardin e qytetarëve dhe i detyrojnë ata të largohen nga Maqedonia e Veriut. .Ata persona me emra dhe mbiemra do të duhet të përmenden në publik", thotë Osmani i pyetur nga një gazetar nëse mund të themi zyrtarisht se vendi nuk do ta përmbushë kërkesën për ndryshime kushtetuese dhe se në dhjetor nuk do të mund të kalojmë në fazën e dytë të negociatave me BE-në - hapja e kapitujve.

Ai sqaroi se pas përfundimit të skriningut vijnë raportet e skriningut nga KE-ja, në bazë të të cilave duhet të përgatisim udhërrëfyesit që janë obligim për hapjen e kapitullit. Njëkohësisht, një hap që është i rëndësishëm dhe që realizohet me konsensus është letra e Këshillit Evropian drejtuar vendeve kandidate që janë pikë referimi për hapjen e kapitujve dhe kjo letër është për vendin. Ajo letër, kujton Osmani, kaloi me konsensusin e  27-të vendeve anëtare, por nuk kaloi për Shqipërinë për shkak të kontestimit nga Greqia.

"Tashmë jemi një hap përpara sa i përket vendimeve. Tani, në bazë të asaj letre që kemi marrë, ne po përgatisim udhërrëfyesit dhe po ia dorëzojmë KE-së dhe më pas KE-ja në Këshillin Evropian. Kjo është e gjitha në rregull. Mirëpo, pa ndryshime kushtetuese, nuk do të mund të mbajmë konferencën e dytë ndërqeveritare në të cilën do të prezantohet korniza negociuese për të hapur më tej kapitujt, dhe këtu përgjegjësinë e plotë, absolute dhe historike e sjellin konkretisht me emër dhe mbiemër deputetët në Kuvend dhe partia politike e caktuar dhe mendoj se secili nga ne duhet të paraqitet dhe ta drejtojë gishtin drejt atyre personave, drejt asaj partie politike e cila e kërcënon të ardhmen evropiane. Dhe pse mendoj kështu? Sepse momenti gjeopolitik është i papërsëritshëm për një rrugë serioze të shpejtë drejt anëtarësimit në BE në vitin 2030 dhe nuk jam i sigurt se i njëjti moment gjeopolitik do të ruhet edhe vitin e ardhshëm", tha ministri Osmani.

Ai theksoi se kriza në Lindjen e Mesme tashmë ka defokusuar vëmendjen e publikut nga ajo që po ndodh në Ukrainë, dhe agresioni rus kundër Ukrainës ishte një moment serioz gjeopolitik që riktheu vëmendjen e publikut evropian në nevojën për zgjerim. 

"Nuk do të ndalemi deri në frymën e fundit, deri në momentin e fundit për të kapur këtë moment që nuk do të përsëritet", tha Osmani në lidhje me komunikimin me deputetët në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR