• e martë, 18 mars 2025

Në sulmet izraelite në Gazë 413 viktima, mes tyre dhe përfaqësues të lartë të Hamasit

Në sulmet izraelite në Gazë 413 viktima, mes tyre dhe përfaqësues të lartë të Hamasit

Gazë, 18 mars 2025 (MIA) - Numri i viktimave nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 413, njofton DPA, duke cituar autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze e cila kontrollohet nga Hamasi.

Në sulm janë lënduar të paktën 600 persona.

Izraeli sot filloi një ofensivë të re në Gazë, duke i dhënë fund armëpushimit me grupin islamik. Ekziston frika e një ripërtëritjeje të plotë të luftës, thekson DPA.

"Shumë struktura shëndetësore janë të mbingarkuar fjalë për fjalë" pas granatimeve të reja, kumtoi sot Federata ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nga ana e saj theksoi mungesën e ilaçeve në territorin palestinez. "Për shkak të mungesës së ilaçeve, ekziston rreziku që punonjësit e shëndetësisë të mos jenë në gjendje të ofrojnë trajtim për një sërë kushtesh mjekësore, jo vetëm për plagë traumatike", paralajmëroi OBSH-ja.

Të paktën katër përfaqësues të lartë, duke përfshirë dy policë në administratën e Hamasit u vranë në sulmet e mbrëmshme. Midis tyre janë shefi i komitetit administrativ të qeverisë, Esam al Dalis, nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjenerali Mohamed Abu Vatfa, drejtori kryesor i shërbimeve të sigurisë së brendshme, gjenerali Bahxhat Abu Sultan dhe nënsekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ahmed al-Heta. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR