KB: Ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite në territoret palestineze përbën krim lufte
- Përshpejtimi i popullimit te izraelitëve në territoret e pushtuara palestineze është e barabartë me krime lufte, deklaroi komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Folker Turk.
- Post By Fami Bajrami
- 14:42, 18 mars, 2025

Gjenevë, 18 mars 2025 (MIA) - Përshpejtimi i popullimit te izraelitëve në territoret e pushtuara palestineze është e barabartë me krime lufte, deklaroi komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Folker Turk.
Zyra e komisarit të lartë në një raport tha se kishte vërejtur shkelje të izraelitëve sa i takon ligjit ndërkombëtar.
Përderisa vendimi përfundimtar për krime të tilla i takon gjykatave, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë momentalisht po heton kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe udhëheqësit militantë palestinezë për krime të mundshme lufte.
Qeveria izraelite rregullisht hedh poshtë gjetjet e OHHR-së, si dhe të Këshillit të KB-së për të drejtat e njeriut, duke akuzuar organet me seli në Gjenevë se janë të njëanshme kundër Izraelit.
"Transferimi i një pjese të popullsisë së tij nga Izraeli në territorin që pushtoi është i barabartë me krim lufte", tha Turk.
Zyra e tij dokumentoi një rritje të konsiderueshme të vendbanimeve midis 1 nëntorit të vitit 2023 dhe 31 tetorit të vitit 2024, në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Vetëm në Jerusalemin Lindor janë ndërmarrë hapat fillestar për të ndërtuar 20.000 njësi të reja banimi.
Izraeli pushtoi dhe aneksoi Jerusalemin Lindor në Luftën gjashtë ditore në vitin 1967. Aneksimi nuk njihet sipas ligjit ndërkombëtar.
Janë prezantuar dhe planet për ndërtimin e 10.300 njësive të reja banimi në vendbanimet ekzistuese në Bregun Perëndimor. Raporti evidenton formimin e 49 vendbanimeve të reja në periudhën e monitoruar që është më shumë se në 12 muajt e mëparshëm.
Në mënyrë drastike është rritur zhvendosja e detyruar e palestinezëve, me rreth 4.500 të zhvendosur që është pothuajse trefishi i numrit të një viti më parë. Në Jerusalemin lindor, 214 struktura palestineze u shkatërruan, ndërsa gjithsej 1.800 u shkatërruan në të tjera vende në Bregun Perëndimor.
"Izraeli duhet menjëherë dhe plotësisht t'i ndalojë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve dhe të evakuojë të gjithë të shpërngulurit, të ndalojë zhvendosjen e detyruar të popullsisë palestineze dhe të parandalojë dhe ndëshkojë sulmet ndaj forcave të saj të sigurisë dhe të shpërngulurve ", tha Turk. rq/
Foto: arkivi i MIA-s