• e enjte, 04 dhjetor 2025

Në Strugë marsh protestues për përkrahje të mjekut Muhamed Asani, i dënuar në tre vjet dënim me burg

Në Strugë marsh protestues për përkrahje të mjekut Muhamed Asani, i dënuar në tre vjet dënim me burg

Strugë, 2 dhjetor 2025 (MIA) - Me parulla "Struga ngre zërin për drejtësi", "Mjeku lufton për jetën, padrejtësia vret atë", "Struga nuk hesht", "Mos i dënoni duart që shpëtojnë jetë"..., mjekë dhe personel mjekësor nga spitali i Strugës, të shoqëruar nga qytetarë sot kanë mbajtur protestë të qetë për përkrahje të gjinekologut Muhamed Asani, të cilit iu shqiptua dënim me tre vjet burg dhe pesë vjet ndalesë për kryerjen e veprimtarisë për largimin e tre organeve të pacientes nga Dibra pas lindjes me prerje cezariane.

Marshi filloi para Spitalit të përgjithshëm dhe vazhdoi deri te Gjykata themelore Strugë.

Tubimi, siç theksoi dr. Ilirianan Naxha, është për shkak të padrejtësisë, e cila i është bërë mjekut, duke kërkuar drejtësi dhe trajtim të ndershëm për të gjithë që për çdo ditë punojnë me përgjegjësi dhe sakrificë.

"Sot jemi tubuar këtu jo për shkak të politikës, jo për shkak të ndarjeve, por për shkak të një kauze të thellë njerëzore dhe themelore, të drejtën dhe dinjitetin. Jemi këtu sepse një padrejtësi, kur prek një person, prek të gjithë integritetin tonë profesional dhe në fund të fundit prek të gjithë bashkësinë. Sot është ai, nesër mund të jetë kushdo prej nesh. Kërkojmë drejtësi dhe trajtim të drejtë për ata që na shërbejnë çdo ditë me përgjegjësi dhe sakrificë. Jemi këtu për ta bërë të qartë se nuk do të lejojmë që dinjiteti i thirrjes sonë profesionale të shkelet nga padrejtësia", tha Naxha.

Mjeku Edmond Vejseli, në emër të punonjësve shëndetësorë, shprehu shqetësim për rastin, në të cilin, siç theksoi ai, kishte udhëzime të qarta dhe të pavarura nga dy komisione, njëri i formuar nga Dhoma e Mjekëve dhe tjetri nga Ministria e Shëndetësisë, se nuk ishte bërë asnjë gabim mjekësor dhe se nuk kishte përgjegjësi profesionale, ndërsa vendimet që injoruan këto ekspertiza krijuan një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e profesionit.

Gjykata e Strugës, pothuajse dy javë më parë, dënoi gjinekologun Muhamed Asani me tre vjet burg, maksimumi i paraparë për këtë vepër penale dhe ndalesë pesëvjeçare për ushtrimin e profesionit, aktivitetit ose detyrës në rastin e gruas nga Dibra, Jilldiz Veaposka, së cilës iu hoqën mitra, vezoret dhe veshkat pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin e Strugës. Lëshimet që sjellin përgjegjësi, sipas gjykatës, "tregohen në ndjekjen pas intervenimit, respektivisht se edhe pavarësisht përkeqësimit të shëndetit të gruas në lindje, pas prerjes cezariane, mjeku nuk kreu diagnozë dhe një eko për gjakderdhjen që ndodhi, e cila çoi në shok hemorragjik, kur tre organe të shëndetshme iu hoqën pa nevojë".

Në rastin janë akuzuar edhe djali i personit tani të dënuar, dr. Blerton Asani, i cili ishte soecializant i gjinekologjisë në atë kohë dhe mjekja Liljana Jovanoska, të cilët u liruan nga akuzat.

Gjyqi zgjati rreth tre vjet dhe tre herë fillonte nga fillimi për shkak të ndërrimeve tl gjyqtarëve të gjykimit. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR