• e martë, 24 dhjetor 2024

Në Londër takim Osmani Kleverli, në fokus përkrahja britanike dhe dosja evropiane e shtetit

Në Londër takim Osmani Kleverli, në fokus përkrahja britanike dhe dosja evropiane e shtetit

Shkup, 19 qershor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka realizuar takim me sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, Xhejms Kleverli, ku mori pjesë edhe ministri për Evropë, Leo Dokerti.

Siç kumtoi MPJ, Osmani shprehu mirënjohje për rolin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e sigurisë dhe prosperitetit në rajon dhe mbështetjen në fushat kyçe për progresin e Maqedonisë së Veriut, si: qeverisja e mirë, reformat në sektorin e sigurisë dhe në gjyqësor, si dhe zhvillimi socio-ekonomik.

“Mbretëria e Bashkuar, në tri dekadat e fundit, është partner i përkushtuar dhe i besueshëm i shtetit tonë dhe mbështetës i zëshëm i prioriteteve tona strategjike të politikës së jashtme, që është edhe një konfirmim i interesit britanik për prani afatgjate në rajon“, theksoi Osmani.

Osmani informoi për dosjen evropiane të shtetit dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian paralelisht me agjendën e reformave të nevojshme për plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.

“Jemi të kënaqur me mbështetjen e fuqishme të Britanisë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me qëllim të vazhdimit të rrugës eurointegruese dhe sigurimit të së ardhmes evropiane të shtetit”, potencoi Osmani.

Në takim u shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si pasojë e agresionit ushtarak ndaj Ukrainës nga pozicioni i aleatëve në kuadër të NATO-s.

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani informoi për sfidat me të cilat ballafaqohet Organizata dhe mbi mundësitë për tejkalimin e tyre. bsh/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR