• e premte, 27 shtator 2024

Në Kuvend u ndanë diploma për pjesëmarrësit e kursit për njohuritë themelore të gjuhës së shenjave

Në Kuvend u ndanë diploma për pjesëmarrësit e kursit  për njohuritë themelore të gjuhës së shenjave

Shkup, 17 maj 2023 (MIA) -  Sot në Kuvend u mbajt evenimenti edukativ, në të cilin nga sekretarja e përgjithshme Cvetanka Ivanova u ndanë diploma pjesëmarrësve të kursit për njohuritë themelore të gjuhës së shenjave për deputetët dhe punonjësit e Shërbimit të Kuvendit. Gjithsej 19 deputetë dhe punonjës morën diploma dhe fletëfalënderime për përfundimin me sukses të kursit.

Kurset u mbajtën në dy grupe: 1) Niveli i avancuar (vazhdimi i trajnimit të mëparshëm) – përdorimi i përgjithshëm i gjuhës maqedonase të shenjave, për deputetët dhe punonjësit që kanë qenë pjesë e ciklit të mëparshëm të kurseve; 2) Niveli themelor - përdorimi themelor i gjuhës maqedonase të shenjave, për deputetët dhe punonjësit që tani kanë filluar të ndjekin kurset.

Gjatë evenimentit u prezantua video promovuese e përgatitur në kuadër të Programit për Mbështetjen Parlamentare, nga vizita e Q.SH.SH.A.R “Partenija Zografski” në prill të këtij viti. Në video theksohet rëndësia e organizimit të evenimenteve të tilla dhe të ngjashme në të cilat marrin pjesë deputetët dhe punonjësit e Shërbimit të Kuvendit, në drejtim të promovimit të kulturës së transparencës së Kuvendit dhe afrimit të punës së Kuvendit te të gjithë qytetarët.

Në këtë eveniment morën pjesë nxënësit dhe mësimdhënësit nga Q.SH.SH.A.R “Partenija Zografski”, të cilët patën mundësinë të takohen me deputetët, si dhe përmes vizitës së organizuar për t'u njohur me ambientet e brendshme të Dhomës Ligjvënëse dhe dhomat më përfaqësuese, për të mësuar për historinë, organizimin dhe funksionimin e Kuvendit dhe për të parë se ku punojnë deputetët.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që punonjësit dhe deputetët të fitojnë njohuri themelore të gjuhës së shenjave në mënyrë që të mund të ndihmohen këta qytetarë kur të vijnë në Dhomën Ligjvënëse, gjatë vizitave të organizuara apo në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kuvend.

Këto kurse janë vazhdimësi e aktiviteteve të vitit të kaluar, kur Instituti Parlamentar filloi organizimin e kurseve të gjuhës së shenjave për deputetët dhe punonjësit e Shërbimit. sa/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR