• e enjte, 04 dhjetor 2025

Në Kuvend nesër dhe pasnesër do të mbahen intervistat e kandidatëve të paraqitur për kryetar të Antikorrupsionit

Në Kuvend nesër dhe pasnesër do të mbahen intervistat e kandidatëve të paraqitur për kryetar të Antikorrupsionit

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve nesër do të fillojë me zbatimin e intervistave të kandidatëve të paraqitur pas Vendimit për publikimin e shpalljes së konkursit për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Procedura për zgjedhjen e Kryetarit të KSHPK-së vazhdon pas përfundimit të Zgjedhjeve Lokale, ndërsa Kuvendi po rizgjedh kryetarin e komisionit antikorrupsion pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e dyshuar për përfshirje në rastin "Aditiv". 

Në seancën e fundit të Komisionit para zgjedhjeve lokale, u konstatua se 10 nga 12 kandidatët e paraqitur për kryetar të KSHPK-së i plotësojnë kushtet. Bëhet fjalë për Vesna Dorevskën, Vladimir Naumoski, Antonio Sanev, Branko Smilevski, Valentina Todorovska, Nenad Trifunovski, Blagica Troshanska, Kimo Çavdar, Adem Çuçul dhe Feuzi Xhaferi. Siç është paraparë, intervistat do të realizohen nesër dhe të mërkurën.

Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve më 13 gusht formoi Komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të KSHPK-së, i cili, sipas ligjit, përbëhet nga shtatë anëtarë - Ylber Rufati, zëvendës avokat i popullit, Darko Avramovski, përfaqësues i një shoqate ose fondacioni i emëruar si anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil për fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, gjegjësisht anëtari i Këshillit për bashkëpunim mes Qeverisë dhe shoqërisë civile në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, Bardhyl Jashari, përfaqësues i shoqatës ose fondacionit i emëruar si anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil për fushën e medias dhe shoqërisë së informacionit dhe deputetët Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE, Saranda Imeri Stafai nga VLEN-i, Mitko Trajçuleski nga LSDM-ja dhe Arbana Pasholi nga Fronti Evropian.

Në afat prej tre ditësh nga zbatimi i intervistës, Komisioni përzgjedhës përcakton listë-renditjen e kandidatëve në përputhje me kriteret e përcaktuara dhe ia paraqet atë Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Kuvend, i cili, brenda dy ditëve, i propozon Kuvendit kandidatët më të renditur në një listë të vetme të propozuar për kryetarin dhe anëtarët e KSHPK-së, me një shpjegim për secilin prej kandidatëve të propozuar.

Për Kryetar të Komisionit Shtetëror mund të emërohet një person që është shtetas i Maqedonisë dhe ka vendbanim të përhershëm në vend, të ketë aftësi biznesi, të ketë arsim të lartë me të paktën 300 ECTS ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën e shkencave juridike ose arsim të lartë me të paktën 240 ECTS kredi ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën e shkencave politike, të komunikimit ose ekonomike, të ketë të paktën dhjetë vjet përvojë pune pas përfundimit të arsimit të lartë, nga të cilat të paktën tetë vjet përvojë pune në fushat e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë, të mos jetë ndaluar të kryejë një profesion, aktivitet ose detyrë, në dhjetë vitet e fundit të mos ketë qenë anëtar i Kuvendit, anëtar i Qeverisë, të mos ketë qenë donator i një partie politike ose të mos ketë kryer funksion në organet e një partie politike. qa/

Foto: Arkivi 

 

QËNDRONI TË LIDHUR