Në fazën përfundimtare bisedimet për qeverinë e re, nuk zbulohen emrat e ministrave
- - Po zgjasin bisedimet për pjesëmarrje në qeverinë e re ndërmjet VMRO-DPMNE-së, Koalicionit VLEN dhe Lëvizjes ZNAM, informojnë për MIA-n përfaqësues të partive politike të cilat janë pjesë e grupeve të punës. Ata theksojnë se bisedimet janë në fazën përfundimtare, por nuk i zbulojnë emrat e ministrave të rinj. Theksojnë se kur do ta përfundojnë marrëveshjen, të gjitha hollësitë do të bëhen të ditura për publikun.
- Post By Fitore Curri
- 13:09, 31 maj, 2024
Shkup, 31 maj 2024 (MIA) - Po zgjasin bisedimet për pjesëmarrje në qeverinë e re ndërmjet VMRO-DPMNE-së, Koalicionit VLEN dhe Lëvizjes ZNAM, informojnë për MIA-n përfaqësues të partive politike të cilat janë pjesë e grupeve të punës. Ata theksojnë se bisedimet janë në fazën përfundimtare, por nuk i zbulojnë emrat e ministrave të rinj. Theksojnë se kur do ta përfundojnë marrëveshjen, të gjitha hollësitë do të bëhen të ditura për publikun.
Afati për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së ardhshme skadon më 7 qershor. Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, siç informuan nga Kabineti i saj, javën e ardhshme do ta ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re.
Anëtari i grupit të punës nga Koalicioni VLEN Azir Aliu në një deklaratë të shkurt për MIA-n njoftoi se pret që bisedimet për koalicionimin me VMRO-DPMNE-në të përfundojnë në 3-4 ditët e ardhshme. Aliu nuk zbulon hollësi për bisedimet por vetëm potencoi se kur do të përfundojnë bisedimet, i gjithë publiku me kohë do të informohet me të gjitha hollësitë.
Nga Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë në një deklaratë me shkrim për MIA-n thonë se bisedimet për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme janë në fazën përfundimtare, por ato nuk bëjnë të ditura hollësi.
"Zgjidhjet dhe vendimet konkrete kadrovike për këtë do t'i marrin organet e Lëvizjes ZNAM, përgjatë procedurës së e duhur të brendshme partiake dhe të njëjtat do t'i bëhen të ditura publikut. Çdo spekulim për emra dhe dikastere të caktuara Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë i vlerëson si të pasakta dhe të pavërteta", përsërisin nga ZNAM.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike e cila është pjesë e Koalicionit "VLEN", Izet Mexhiti dje në intervistë për TV21 theksoi se ka përfunduar marrëveshja me VMRO-DPMNE-në për eshalonin e parë. Ai njoftoi se Koalicionit VLEN përveç spikerit të kuvendit, do t'i takojnë edhe gjashtë ministri, shtatë zëvendësministra, pesë sekretarë shtetërorë dhe një zëvendëskryeministër.
Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe anëtar i Koalicionit VLEN, Arben Taravari në konferencë për media dje theksoi se bisedimet për koalicionim do të zgjasin edhe tri-katër ditë dhe theksoi se grupet e punës punojnë intensivisht.
"Sa mund të shoh, bisedimet do të zgjasin edhe tri-katër ditë. Grupet e punës punojnë me kapitujt. Punojnë intensivisht. Kur do të kemi marrëveshje përundimtare me dikasteret e ndara dhe me programin i cili tashmë ka përfunduar, besoj se do të dalim dhe do t'i bëjmë publike për të gjithë qytetarët", tha ai.
Deri më tani është publikuar se VMRO-DPMNE dhe koalicioni Maqedonia e Juaj do të kenë ministra në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Financave, të Transportit dhe Lidhjeve, të Arsimit dhe Shkencës, të Kulturës, të Punëve të Jashtme, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, të Vetqeverisjes Lokale, të Mbrojtjes, të Energjetikës, të Sistemit Politik, etj.
Koalicioni VLEN duhet t'i marrë Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa ministri që do të menaxhojë me të në të njëjtën kohë do të jetë edhe zëvendëskryeministër. Kuadro të koalicionit VLEN do të udhëheqin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, me Sektorin e Integrimeve Evropiane, si edhe me një ministri pa dikaster përgjegjëse për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë.
ZNAM pritet të marrin dy ministri edhe atë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e re të Administratës.
Por, para se të zgjidhet qeveria e re në seancën e parë të kuvendit duhet të sillen ndryshime të ligjeve sistematike që të mundësohet formimi i ministrive të reja dhe transformimi i ministrive ekzistuese, paralajmëroi dje në intervistë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s