• e diel, 06 tetor 2024

Në Dibër u shënua Dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit shqiptar

Në Dibër u shënua Dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit shqiptar

Dibër, 27 nëntor 2023 (MIA) - Me aktivitete të shumta në Dibër u shënua 28 nëntori, Dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e flamurit shqiptar. 

Në organizim të Komunës së Dibrës sot u mbajt koncert festiv me pjesëmarrjen e fëmijëve të kopshtit “Breshija", nxënës të shkollave fillore komunale "Said Najdeni" dhe "Penestia" si dhe gjimnazi "28  Nëntori". 

Për shkak të mungesës për shkaqe të arsyeshme të kryetarit Hekuran Duka, në emër të organizatorit të pranishmit dhe pjesëmarrësit i ka përshëndetur dhe uruar këtë Ditë nënkryetari Bashkim Mashkuli i cili paralajmëroi se kjo do të bëhet tradicionale.

Për rëndësinë e kësaj dite foli Ramadan Imeri, drejtor i gjimnazit të Dibrës me profesion historian.

Më herët nxënësit e shollës “Penestia” mbajtën një paradë duke kaluar përgjatë rrugës kryesore të qytetit dhe shëtitores, ndërsa qyteti, si në vitet e kaluara është zbukuruar me flamuj kombëtarë shqiptarë.

Në shkolla iu kushtuan mësime historisë së pavarësisë së Shqipërisë të shpallur më 28 nëntor në vitin 1912 në Vlorë.

Ndërkohë, kryetari i Komunës, Duka, përmes një videoje u bëri thirrje banorëve të Dibrës që të marrin pjesë në “Paradën kuqezi” që do të mbahet nesër për herë të parë në Tiranë, në të cilën do të marrin pjesë shqiptarët nga SHBA-ja si dhe vendet evropiane. 

Në të njëjtin manifestim në mesin e 150 ansambleve pjesëmarrje ka paraqitur edhe SHKA e Dibrës- Dibra e Madhe. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR