• e martë, 01 tetor 2024

Murtezani: Tani është një moment i mirë për të hapëruar drejt anëtarësimit me të drejtë të plotë në BE

Murtezani: Tani është një moment i mirë për të hapëruar drejt anëtarësimit me të drejtë të plotë në BE

Bruksel, 19 shtator 2024 (MIA) - Përkushtimi i Qeverisë së re për anëtarësim të shpejtë të vendit në BE është theksuar edhe një herë në takimet e sotme me zyrtarë të lartë të Unionit, tha ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, i cili sot e shoqëronte kryeministrin Hristian Mickoski në vizitën e punës në Bruksel.

"E dëshmuam me faktin se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE është ndër prioritetet e para në programin e qeverisë, por edhe me miratimin e shpejtë të agjendës së reformave, e cila është pjesë e Planit të Rritjes", tha Murtezani. 

Sipas tij, ky Plan për rritjen e Ballkanit Perëndimor, i propozuar nga Komisioni Evropian, paraqet një kornizë përmes së cilës BE i trajton vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme sikur të ishin anëtare të Unionit, duke pasur parasysh se shuma e fondeve që do të vihen në dispozicion të tyre është në një nivel gati 90 për qind të asaj që marrin vendet e bllokut.

"Nëse i shtohen zhvillimet gjeopolitike dhe prioriteti i BE-së në politikën e zgjerimit, mendoj se është një moment i shkëlqyer që ne si vend të ecim shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian", theksoi ministri i Çështjeve Evropiane.

Murtezani, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, e shoqëruan kryeministrin Mickoski në takimet e sotme në Bruksel me kryetarin e Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, me Komisarin Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei dhe me kreun e Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Gert Jan Kopman. Paraprakisht, kryeministri së bashku me liderë të tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në një drekë pune me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR