• e premte, 22 nëntor 2024

Murtezani: Ndryshime kushtetuese do të ketë kur do të dihet fundi i procesit

Murtezani: Ndryshime kushtetuese do të ketë kur do të dihet fundi i procesit

Tetovë, 4 nëntor 2024 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot në Tetovë deklaroi se ndryshimet kushtetuese do të fillojnë të zbatohen në momentin që të ketë siguri se si do të duket fundi i atij procesi. Murtezani këtë e tha pas takimit me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

"Në pjesëmarrjet publike të përfaqësuesve ndërkombëtarë por dhe në raportin e Komisionit Evropian qëndron detyrimi për ndryshimet kushtetuese për fillim të negociatave. Unë dhe kryeministri Mickoski në disa raste kemi thënë qartë se në esencë asgjë nuk është kontestuese për ndryshimet kushtetuese, por ne duam të jemi të sigurt se amendamentet kushtetuese jo vetëm që do të hapin procesin e negociatave, por se ai proces do të ketë fund. Në momentin kur shohim se procesi është siguruar, ndryshimet kushtetuese mund të fillojnë të implementohen", ka thënë Murtezani.

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk ka dhënë mendim për ndryshimet kushtetuese, ndërsa u përgjigj në pyetjet e gazetarëve nëse pret mbështetje në Këshillin e Komunës së Tetovës për financimin e Shoqatës së Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art.

"Ne kemi marrë si detyrim që do ta mbështesim akademinë, pra një projekt që është i rëndësishëm për shkencën në radhë të parë dhe më pas për shkencën shqiptare. Gjithçka tjetër është procedurë, teknikë, administrim. Ne kur kemi vendosur ta mbështesim këtë projekt, sigurisht që kemi pasur parasysh të gjitha mundësitë për realizimin e saj. Shpresoj se si që kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm deri në fund të këtij mandati, atë bashkëpunim ta kemi edhe në nivel lokal dhe për të gjitha projektet për të cilat kemi pasur marrëveshje dhe bashkëpunim edhe më tej ta kemi atë bashkëpunim si të tillë”, ka thënë Kasami.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR