• e mërkurë, 04 shkurt 2026

Murtezani dhe Superti me angazhim të përbashkët për progresin e reformave dhe hapjen e Klasterit të parë

Murtezani dhe Superti me angazhim të përbashkët për progresin e reformave dhe hapjen e Klasterit të parë

Shkup, 13 maj 2025 (MIA) - Në kuadër të vizitës dyditore pune në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani sot mbajti takim edhe me Valentina Superti, Drejtoreshë në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi lindore (DG ENEST) në Komisionin Evropian.

Diskutimet, siç bënë të ditur nga Ministria e Çështjeve Evropiane, u zhvilluan në kontekst të fazës së avancuar të përgatitjeve për hapjen e Klasterit 1 (Vlerat Themelore), ku theksi i veçantë u vendos në përmbushjen përcaktuesve për hapje që janë parakusht për hapjen e këtij klasteri, të përcaktuar në Kornizën Negociuese. 

Ministri Murtezani informoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut tanimë i finalizon dokumentet thelbësore strategjike: Udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës, si dhe Planin shoqërues të veprimit për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve dhe Udhërrëfyesin për reformat në administratën publike; më çka praktikisht rrumbullakohet përmbushja e kushteve dhe hapet rruga për fillimin formal të negociatave, duke filluar me hapjen e Klasterit të parë.

Murtezani theksoi se këto dokumente janë rezultat i koordinimit të rrënjësor me Komisionin Evropian dhe përfshirjen e palëve të interesuar relevant nga sektori institucional, civil dhe ai i ekspertëve, duke përfshirë edhe prezantimet publike para organeve kompetente parlamentare. Versioni përfundimtar i dokumenteve po harmonizohet me Komisionin Evropian, përpara miratimit të tyre formale nga Qeveria.

Në mënyrë shtesë, u shqyrtuan aktivitetet aktuale lidhur me zbatimin e Agjendës Reformuese 2024–2027 dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë procesin e vlerësimit të Kërkesës së parë për pagesën e mjeteve, të dorëzuar në Komisionin Evropian më 14 mars të këtij viti. 

U diskutuan edhe reformat e planifikuara për realizim deri në qershor 2025, veçanërisht në sferën e energjetikës, transformimit digjital, mjedisit të biznesit dhe sundimit të së drejtës.

Superti përshëndeti përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe qasjen proaktive në ndërtimin e strukturës institucionale funksionale për menaxhimin e procesit euro-integrues.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e komunikimit të rregullt dhe të hapur, si parakusht për perspektivë të besueshme evropiane dhe realizimin e rezultateve të qarta në afrimin drejt BE-së. fc/

Foto: MÇE

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR