• e martë, 18 mars 2025

Mucunski nga Selaniku e falënderoi Greqinë për ndihmën dhe theksoi se solidariteti nuk duhet të harrohet

Mucunski nga Selaniku e falënderoi Greqinë për ndihmën dhe theksoi se solidariteti nuk duhet të harrohet

Athinë, 18 mars 2025 (MIA) – Ky ishte momenti më tragjik në historinë e popullit tim, moment që përgjithmonë do të mbetet në kujtesën kolektive, por gjithashtu ajo që do të mbetet në kujtesën tonë kolektive nuk duhet ta harrojmë asnjëherë është solidariteti të cilin e morëm, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nga Selaniku pas vizitës së të lënduarve nga zjarri në Koçan, të hospitalizuar në spitalin Papanikollau, informon korrespondentja e MIA-s nga Greqia. 

Mucunski dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në mëngjes janë në vizitë në dy spitalet e Selanikut, ku janë hospitalizuar pesë të lënduar, ndërsa ministrat i shoqërojnë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Greqisë, Kostas Julekas kompetent për zonat Maqedonia dhe Trakia dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Tasos Haxivasiliu. 

Pas vizitës në spitalin Papanikollau, në deklaratë për mediat greke, shefi i diplomacisë theksoi se nga ajo që ishin të informuar, “pacientët janë në gjendje serioze, por të qëndrueshme”. 

“Ajo që pamë dhe dëshmuam këtë mëngjes është një kujdes i mrekullueshëm mjekësor. Do të citoj atë që na tha kryemjeku që kujdeset për këta pacientë: ‘Fëmijët tuaj janë fëmijët tanë’’, tha Mucunski.

Shtoi se disa nga prindërit kërkonin që në emrin e tyre të shprehë mirënjohje për mjekët dhe personelin mjekësor për kujdesin të cilin e marrin fëmijët e tyre, ndërsa paralelisht dërgoi mirënjohje dhe për Greqinë dhe popullin grek në emër të vendit dhe popullit tonë. 

“Bashkë me homologun tim, ministrin e Shëndetësisë erdhëm sot këtu që ta shprehim mirënjohjen tonë, të lutemi që asnjëherë nuk do të ketë nevojë tua kthejmë për këtë lloj të solidaritetit të thellë. Falënderojmë qytetarët grekë, Qeverinë greke për transparencën e tyre”, theksoi ministri. 

Për mëngjesin tragjik, tha se një nga bisedat e para të cilat i ka pasur ishte me homologun e tij grek, Jorgos Gerapetritis, duke shtuar se nga Greqia jo vetëm ngushëllime dhe fjalë, ekzistonte edhe ndihmë praktike. 

“Pacientët e parë të cilët u larguan nga vendi ynë ishin ata që erdhën këtu në Selanik. Qyteti që është afër nesh për shkaqe të ndryshme dhe i cili shpresoj se nuk do të jetë përsëri afër nesh për këto arsye”, tha ministri. 

Përkujtoi se përveç se në Selanik dhe Athinë janë hospitalizuar të lënduar, të cilët mbrëmë ishin dërguar me aeroplan të aviacionit ushtarak grek, ndërsa paralelisht foli edhe për ndihmën edhe nga vende të tjera. 

Mucunski dhe Taravari nga spitali Papanikollau ku janë hospitalizuar tre persona, shkuan për spitalin ushtarak në Selanik, ku po mjekohen dy të lënduar të tjerë, të gjithë me djegie të vështira. fc/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR