MPB me paralajmërim për mashtrimet nga "këshilltarët financiarë" të rrejshëm në rrjetet sociale
- - Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët se është vënë re një aktivitet i shtuar i mashtruesve, të cilët përmes rrjeteve sociale paraqiten si “këshilltarë financiarë” dhe zakonisht ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave.
- Post By Fitore Curri
- 13:53, 14 nëntor, 2024
Shkup, 14 nëntor 2024 (MIA) - Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët se është vënë re një aktivitet i shtuar i mashtruesve, të cilët përmes rrjeteve sociale paraqiten si “këshilltarë financiarë” dhe zakonisht ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave.
Këta individë, thuhet në kumtesën e MPB-së, reklamojnë me profile të rreme ose reklama të sponsorizuara, shpesh duke premtuar fitime të larta dhe fitime të shpejta, duke arritur kështu të tërheqin viktima që kërkojnë një mënyrë për të investuar.
"Pas kontaktit përmes mediave sociale, mashtruesit komunikojnë me viktimat përmes telefonatave, duke përdorur numra VOIP që zakonisht duken si numra lokalë për të fituar besimin. Gjatë bisedës, ata i bindin viktimat që të instalojnë softuer të aksesit në distancë, me pretendimin se u nevojitet për t'i ndihmuar ata të krijojnë platformën e tregtimit. Pasi marrin akses nga distanca në kompjuterin ose pajisjen celulare të viktimës, mashtruesit hyjnë në bankingun elektronik dhe transferojnë fonde nga llogaritë bankare të viktimave. Në shumë raste, viktimat mbeten pa para para se të kuptojnë se janë mashtruar dhe dëmet janë të konsiderueshme", sqarohet në kumtesë.
Sektori për Kriminalitet Kompjuterik këshillon qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur komunikojnë me persona të panjohur të cilët ofrojnë këshilla financiare përmes internetit.
"Asnjëherë mos instaloni softuer për qasje në distancë me kërkesë të të huajve dhe kini kujdes nga telefonatat nga numra telefoni të panjohur ose të dyshimtë. Në rast të dyshimit për mashtrim, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe denonconi rastin në Ministrinë e Punëve të Brendshme", paralajmërojnë nga MPB. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s