• e martë, 23 korrik 2024

Monitor: Mungesën e fuqisë së punës në Shqipëri e plotësojnë pensionistët

Monitor: Mungesën e fuqisë së punës në Shqipëri e plotësojnë pensionistët

Tiranë, 22 korrik 2024 (MIA) - Vit pas viti, punësimi i pensionistëve po vjen në rritje në Shqipëri, si nevojë për të mbuluar hendekun e lënë bosh në tregun e punës nga të rinjtë.

"Sipas të dhënave nga anketa e fuqisë punëtore të Institutit Shtetëror të Statistikave (INSTAT), në vitin 2023 ishin të punësuar mbi 16 për qind e personave mbi 65 vjeç, ose 82.000. Shkalla e punësimit të të rriturve në pension është rritur gjatë dekadës së fundit, nga 8,6 për qind në vitin 2015 në 16,3 për qind në 2023", bëhet e ditur në analizën e revistës "Monitor" të titulluar "Shpresa për të vjetër". Të rinjtë janë zëvendësuar me pensionistë, 16 për qind e personave mbi 65 vjeç punojnë”.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-24 vjeç në vitin 2023 është shumë e lartë në 25,6 për qind. Në vitin e njëjtë, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 24,6 për qind të të rinjve. 

"Ekspertët e tregut të punës pohojnë se të moshuarit në moshë pensioni mbulojnë nevoja të bizneseve që zakonisht nuk preferohen nga të rinjtë si roje të objekteve private dhe profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi dhe energji po mbulohen nga moshat e vjetra. Nga ana tjetër, pagesat e ulëta ndaj pensioneve të pleqërisë po nxisin gjithnjë e më shumë të moshuar të punojnë për të plotësuar nevojat", bën të ditur "Monitor".

Gjithashtu për shkak të mungesës së kuadrit, veçanërisht në sektorin shëndetësor dhe arsimor shumë persona mjekësorë dhe punonjës të arsimit punojnë edhe pas pensionimit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR