• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mjete digjitale për zhvillimin e filantropisë lokale dhe përfshirjen e qytetarëve në komunitet

Mjete digjitale për zhvillimin e filantropisë lokale dhe përfshirjen e qytetarëve në komunitet

Shkup, 23 gusht 2023 (MIA) - Përmes projektit të USAID-it "Bashkohuni për komunitetin", i cili do të zbatohet në gjashtë komuna të vendit, pritet të rritet pjesëmarrja e qytetarëve në identifikimin dhe zgjidhjen e sfidave me të cilat përballen në jetën e përditshme. Konkretisht, përmes përdorimit të mjeteve digjitale dhe prezencës në terren, qytetarët do të përcaktojnë prioritetet dhe do të zbatojnë bashkërisht zgjidhjet financiare në komunitetin lokal.

Ky projekt realizohet nga shoqata Konekt në bashkëpunim me fondacionin Apolonia, me Indigo dhe EVN dhe në fazën e parë do të bashkëpunojë me komunat Gjevgjeli, Gostivar, Ohër, Strumicë, Çair dhe Shuto Orizare.

Nikica Kusinikova, drejtore ekzekutive e Shoqatës Konekt, në prezantimin e sotëm të projektit informoi se hulumtimet në terren tregojnë se lidhjet ndërmjet institucioneve vendore, organizatave civile, bizneseve dhe mediave janë të dobëta.

Ajo tha se shpreson që në këto pesë vite të krijohen shumë histori suksesi vendore që tregojnë se komunitetet tona janë vitale dhe të gatshme për të investuar në përparimin e tyre.

Përfaqësuesja e Zyrës së USAID-it, Xheri Dajbël, theksoi se USAID ka mbajtur një partneritet të fortë me popullin e Maqedonisë së Veriut për 30 vjet.

Në kuadër të projektit, fillimisht do të identifikohen organizatat e shoqërisë civile që kanë potencial për të shërbyer si "bërthamë" në mënyrë që qytetarët të mund të përfshihen aktivisht në identifikimin e problemeve dhe nevojave të komuniteteve lokale dhe të krijojnë partneritete ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunave me synimin për të përdorur të gjitha burimet lokale në përmirësimin e jetesës në
komuna.

Krahas bërthamave lokale të veprimit, Konekt u ofron komunave dhe qytetarëve një platformë për pjesëmarrje qytetare "Komunitete" që mundëson komunikim të drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe komunave në lidhje me zgjidhjen e prioriteteve të identifikuara të komunitetit.

Qëllimi është të përforcohet dhe lehtësohet mbledhja e mjeteve nga donatorët lokal për këto nisma në mënyrë gjtihëpërfshirëse, efektive dhe të qëndrueshme.

Në të njëjtën kohë, në këtë ngjarje u prezantua edhe Raporti për vlerësimin e kapaciteteve për vetëqëndrueshmëri në komunat e përzgjedhura, i cili tregon rezultatet e hulumtimit për nivelin e bashkëpunimit në mes të vetëqeverisjes lokale, kompanive dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe disponueshmërinë e burimeve lokale.

Konkluzioni i përgjithshëm i raportit është se mungon bashkëpunimi sistematik ndërsektorial ndërmjet kompanive, organizatave të shoqërisë civile dhe vetëqeverisjes lokale që do të përfshijë në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha palët e interesuara.

"Kompanitë janë pjesë e komunitetit dhe duhet të përfshihen aktivisht në zhvillimin lokal dhe në procesin e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, raporti thekson se ka burime të brendshme që mund të mobilizohen nga sektori privat, si dhe burime që mund të mobilizohen përmes aktiviteteve ndërsektoriale të sektorit publik, privat dhe civil që do të kontribuojnë në vetëqëndrueshmërinë e komuniteteve", tha gjatë prezantimit Risto Karajkov, kryehulumtues dhe autor i raportit. sa/

Foto/MIA dhe INDIGO

 

QËNDRONI TË LIDHUR