• e hënë, 24 qershor 2024

Ministrri Bushi u takua me delegacionin e MPB-së së Kosovës

Ministrri Bushi u takua me delegacionin e MPB-së së Kosovës

Shkup, 14 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi sot ka zhvilluar një takim pune me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kolonel Rakip Bunjaku, një nga kryetarët e Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç informon MPB-ja, Bushi, para fillimit të takimit të parë zyrtar të Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, konfirmoi edhe një herë rëndësinë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për pikat e përbashkëta kufitare “Bllacë – Elez Han dhe “Jazhincë – Glloboçicë”, e cila është iniciuar nga pala kosovare në fund të vitit 2020, dhe është pranuar për shqyrtim të mëtejshëm nga pala maqedonase.

"Pas konsultimeve, negociatave dhe konkluzioneve të përbashkëta të dy qeverive, më 18 shtator 2023, Marrëveshja u nënshkrua nga dy Ministrat e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, dhe pas ratifikimit të saj më 8 shkurt 2024, në përputhje me nenin 7 pika 2 të Marrëveshjes, u formua Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve", thuhet në komunikatë.

Ministri Bushi iu referua qëllimit të Marrëveshjes në fjalë, që është krijimi i pikave të përbashkëta kufitare "Jazhincë-Glloboçicë" për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve, automjeteve dhe hyrje-daljet e mjeteve motorike të ngarkesave bosh dhe "Bllacë - Elez Han“ për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve, automjeteve dhe mallrave.

Ai përmendi se interesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është avansimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral dhe operacional ndërkombëtar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, i shprehur ndër të tjera përmes përkushtimit për përmirësimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

"Dhe sigurisht, me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje dhe zbatimin e saj, do të sigurohet dukshëm një zbatim më i suksesshëm në forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit dhe sigurisë së kufijve dhe lëvizjes së papenguar të qytetarëve nga të dyja vendet. E gjithë kjo, për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve. Në takimin e parë të sotëm të përfaqësuesve të Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve të të dyja palëve, pritet të finalizohet pjesa teknike dhe të realizohen dispozitat e Marrëveshjes", qëndron në kumtesën e MPB-së. mb/

Foto; MPB

QËNDRONI TË LIDHUR