Micotakis: Greqia mbështet perspektivën e BE-së të Ballkanit Perëndimor, por vendet duhet të zbatojnë reformat që lidhen me legjislacionin evropian
- Samiti Bashkimi Evropian - Ballkan vjen në rrethana jashtëzakonisht kritike për kontinentin evropian. Greqia në parim ka mbështetur perspektivën integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sigurisht duke marrë parasysh realitetin që këto vende duhet të bëjnë reformat e nevojshme për t'iu përshtatur legjislacionit evropian, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis gjatë mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Athinë, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Samiti Bashkimi Evropian - Ballkan vjen në rrethana jashtëzakonisht kritike për kontinentin evropian. Greqia në parim ka mbështetur perspektivën integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sigurisht duke marrë parasysh realitetin që këto vende duhet të bëjnë reformat e nevojshme për t'iu përshtatur legjislacionit evropian, tha kryeministri grek Kirjakos Micotakis gjatë mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Micotakis në deklaratën iu referua veçanërisht Serbisë dhe Shqipërisë, për Beogradin ai përmendi se tani është koha për të dërguar një mesazh të qartë se ai i përket familjes evropiane, ndërsa për Tiranën u ndal në çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin grek në Shqipëri.
Lidhur me Serbinë, ai shpjegoi se para disa ditësh u ka dërguar një letër të gjithë kolegëve të tij në të cilën u kërkonte që të pajtohen me rekomandimet e Komisionit Evropian në mënyrë që të hapet një kapitull tjetër i negociatave të anëtarësimit dhe shtoi se është “absolutisht e nevojshme që Serbia të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, ajo është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është një pikë referimi për stabilitetin në rajon”.
"Ndjej se tani është koha për t'i dërguar një mesazh Serbisë dhe popullit serb se ne e mendojmë atë që themi, se duam që Serbia të jetë anëtare e familjes evropiane. Serbia e di se çfarë duhet të bëjë nga ana e saj për të harmonizuar vendimet e saj në politikën e jashtme me vendimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian. Por mendoj se tani është koha për t'i dërguar një mesazh të qartë Serbisë se vendi i saj është në familjen evropiane", tha Micotakis.
Për Shqipërinë tha se "Greqia është në thelb “gardianja” e rrugës europiane të Shqipërisë dhe se çështjet që lidhen me mbrojtjen e pakicës kombëtare greke, garantimin e të drejtave të tyre pronësore, të drejtën për vetëvendosje, nuk janë çështje dypalëshe".
"Këto janë çështje që lidhen me marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Më gëzon edhe fakti që për herë të parë pas shumë vitesh kemi një mobilitet të konsiderueshëm nga ana e Shqipërisë në përballjen me këto çështje. Dhe do thosha se kjo është edhe dëshmia më e mirë se përse, në fund të fundit, kursi europian i vendeve të Ballkanit mund të çojë në zgjidhjen e çështjeve të tilla kronike, kur ato reduktohen nga dypalëshe në europiane", theksoi kryeministri grek. ls/
Foto: Kabineti i kryeministrit grek