• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski: U besoj 44 deputetëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe ata janë garantues se ndryshimet kushtetuese nuk do të kalojnë

Mickoski: U besoj 44 deputetëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe ata janë garantues se ndryshimet kushtetuese nuk do të kalojnë

Shkup, 27 korrik 2023 (MIA) - Nëse ka shumicë prej dy tretave, ndryshimet kushtetuese do të ishin tashmë në tryezë. Është e qartë se nuk kanë dy të tretat, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski gjatë vizitës së sotme në komunën Petrovec. Ai beson se 44 deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së janë garancia e vetme se ndryshimet e këtilla kushtetuese nuk do të kalojnë. 

"Tash lufta mes individëve në Qeveri nuk është për ndryshime kushtetuese, por si të kalohet muaji gusht dhe si në mënyrë shtesë të manipulohen qytetarët dhe opinioni sepse janë para zgjedhjeve, për zgjedhje të vjeshtës. Ndërsa zgjedhjet në vjeshtë për disa nga ministrat e qeverisë që janë pjesë e partnerit më të vogël të koalicionit LSDM do të nënkuptojnë fundin e karrierës së tyre politike. Por edhe për disa nga ministrat që janë pjesë e BDI-së do të thotë edhe fundi i karrierës së tyre politike, sepse besoj fuqimisht se do të befasohen pakëndshëm nga rezultati që do të ndodhë nëse ato zgjedhje janë të hershme në vjeshtë", tha Mickoski.

Pasi që të kalojë gushti dhe shtatori, sipas Mickoskit nuk do të ketë bazë kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

"Në mars, prill kemi zgjedhje të rregullta presidenciale. Këtu më mos kërkoni politikë, por politikbërje personale si të jenë në funksion edhe disa muaj, të vjedhin, të kurdisin tenderë në katër sy, t'i ngasin veturat e fqinjëve, miqve", tha Mickoski, duke shtuar se qeveria e re planifikon që t'i hetojë këto të dhëna. 

Lidhur me rastet të cilat te ne i heton agjencia evropiane OLAF, Mickoski theksoi se e ka parë statistikën e cila tregon se gjysma e tyre kanë të bëjnë për shtetin tonë. 

"Ne për këtë flasim gjashtë vjet, se kjo Qeveri e BDI-së e mbështetur nga partneri më i vogël i koalicionit, fuqishëm është e përfshirë në krim dhe korrupsion. Është mirë që partnerët tanë nga Evropa e kanë gjithnjë e më të qartë dhe është mirë që ata do të merren me këtë hetim. Ndërsa qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së dhe organet të cilat do t'i ketë ajo nën menaxhimin e saj, do të hetojnë bashkë me këtë agjenci", theksoi Mickoski. 

Ai potencoi se të gjithë ata që kanë keqpërdorur para të popullit dhe të evropës, duhet të nxiren para faqes së drejtësisë. 

"Të dhëna për krim të tillë kemi në qindra raste, nënvizoi lideri i partisë më të madhe opozitare. 

Në lidhje me bashkimin e koncesioneve për minierat Illovicë - Shtukë, kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se në Qeveri janë specialistë që të krijojnë problem. 

"Është i qartë pozicioni aty. Bëhet fjalë për interesa biznesi të kësaj Qeverie para së gjithash mendoj për partnerin më të madh në Qeveri, BDI. Përsëri nuk mund ta kuptoj pse LSDM-ja i mbron interesat e BDI-së në Strumicë, por koha do të tregojë se cila ishte e vërteta", tha Mickoski. 

Mickoski paralajmëroi se situata në lidhje me minierat do të zgjidhet në mënyrë shtesë nga qeveria e ardhshme. fc/

Fotografia: VMRO-DPMNE

QËNDRONI TË LIDHUR