• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski: Sjellja e papërgjegjshme e BDI-së është kërcënim për paqen dhe stabilitetin, ndërsa thelbi i kësaj sjelljeje është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vjet pushtet

Mickoski: Sjellja e papërgjegjshme e BDI-së është kërcënim për paqen dhe stabilitetin, ndërsa thelbi i kësaj sjelljeje është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vjet pushtet

Shkup, 4 gusht 2024 (MIA) - Me këtë sjellje të papërgjegjshme BDI-ja kërcënon imazhin ndëretnik në vend dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë si shtet. Dhe ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme si Qeveri për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë si shtet. Por në thelb, këto mesazhe janë një përpjekje për të mbrojtur në mënyrë konvulsive pasurinë e fituar gjatë 20 viteve të fundit në pushtet. Dhe ky është fakt, sepse demokracia nënkupton që ai që ka shumicën në parlament të ketë edhe qeveri, kështu komenton kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për “Fokus” nismat e BDI-së për parimin “fituesi me fitues”, për të hyrë në sistemin juridik dhe për riorganizim territorial sipas modelit belg.

Mickoski, siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, shtoi se thelbi i lëvizjeve të tilla është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vitet e fundit në pushtet, por nuk përjashtohet mundësia që disa grupe padashur të manipulohen dhe të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin.

"Epo, shikoni, thelbi është të mbrohet kapitali i fituar në këto 22 vite në skenën politike dhe 20 vjet në pushtet. Por nuk e përjashtoj mundësinë që grupe dhe struktura të caktuara të manipulohen, pa dashje. Dhe tani ato grupe dhe struktura mund të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin, të krijojnë një krizë. Ne kemi detyrë si Qeveri ta mbrojmë dhe të mbrohemi", nënvizoi Mickoski.

I pyetur se a priten protesta për këto çështje, Mickoski u përgjigj se ka informacione të tilla, por nëse janë paqësore dhe demokratike janë legjitime.

"Ende i kam ato informacione. E kam fjalën për protesta. Për sa kohë që ato janë demokratike dhe paqësore, ato janë legjitime. Nëse bëhen të dhunshëm, atëherë do të them sërish, ne si Qeveri kemi të drejtë të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, theksoi Mickoski.

I pyetur se çfarë mendon për parimin “fituesi me fituesin”, Mickoski theksoi se demokracia nuk shkon me këtë parim sepse partnerët e koalicionit nga qeveria e kaluar u delegjitimuan në zgjedhje dhe në emër të demokracisë parlamentare të mundurit duhet të shkojnë në opozitë.

"Mënyra se si funksionon demokracia nuk shkon me “fitues me fitues”, sepse në politikë nuk mundesh pak me njërin, pak me tjetrin. Kemi platforma diametralisht të ndryshme. Nuk mund të jesh 7 vjet në qeveri me LSDM-në dhe të thuash - kjo nuk vlen më dhe tani do të shkoj me VMRO-DPMNE-në. Nuk mund të jetë kështu! Ju zgjodhët partnerin tuaj të koalicionit dhe mbi bazën e një programi keni funksionuar, pavarësisht se çfarë ishte. Ishte një program qeveritar, ajo qeveri është mposhtur, delegjitimuar dhe këtu përfundon i gjithë procesi. BDI me koalicionin dhe LSDM-në së bashku fituan më pak se 300 mijë vota. VMRO-DPMNE dhe koalicioni fituan afër 450 mijë vota, ndërsa së bashku me VLEN-in dhe ZNAM më shumë se 600 mijë", tha Mickoski.

Ai shtoi se vullneti i popullit është i qartë dhe se në një realitet kaq të ri politik, në emër të demokracisë parlamentare, “të mundurit duhet të shkojnë në opozitë, kurse fituesi të krijojë strukturën e qeverisë së ardhshme”. ls/

Foto: Arkivi i MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR