• e premte, 20 dhjetor 2024

Mickoski: Punëdhënësit dhe punëtorët duhet të harmonizohen rreth pagës minimale, Qeveria do ta pranojë atë që do të dakordohen

Mickoski: Punëdhënësit dhe punëtorët duhet të harmonizohen rreth pagës minimale, Qeveria do ta pranojë atë që do të dakordohen

Shkup, 6 dhjetor 2024 (MIA) - Ende po vazhdon seanca e Këshillit ekonomiko-social (KES) dhe aty ka dy partnerë, punëdhënësit dhe punëtorët. Ata duhet të harmonizohen për parametrat, mes të cilëve edhe pagën minimale. Qeveria është në një pozicion tjetër. Nga aspekti i Buxhetit qendror, sa më e lartë të jetë paga minimale, aq më të larta do të jenë të ardhurat në buxhet, por ne nuk duam të përzihemi. Do t'i lëmë të dyja palët të dakordohen, çfarë mund të pranojë njëra, ndërsa çfarë mund të pranojë tjetra, tha sot kryeministri Mickoski.

Qeveria, tha Mickoski në konferencën për shtyp, është këtu për të lehtësuar, e jo për të vendosur.

"Për çfarë do që të dakordohen punëdhënësit dhe punëtorët, ne si Qeveri do ta pranojmë", theksoi Mickoski.

Sipas tij, në Buxhet janë paraparë mjete në përputhje me rregulloret ligjore, por gjithmonë ka një ribalanc dhe mund të bëhet shpërndarje.

"Nga ana e Qeverisë nuk është problem, do të kemi të ardhura. Rritja e pagës minimale do të jetë në barë të punëdhënësve, ata duhet të paguajnë më shumë në Buxhet. Problemi është nëse ata mund ta lejojnë atë, nëse mund ta bëjnë, nëse ndoshta pastaj mund të ketë truke tjera, gjysmë-gjysmë, "ja gjysma në dorë",....Por, kjo është temë tjetër", theksoi Mickoski në pyetjet e gazetarëve se a do të ketë mjete në Buxhet për vitin 2025 nëse punëdhënësit dhe punëtorët dakordohen për pagë minimale prej 450 euro.

Siç shtoi kryeministri, duke marrë parasysh se do të ketë zgjedhje lokale, ribalancimi i Buxhetit do të jetë më së voni në qershor-korrik.

Mickoski përkujtoi se me Buxhetin për vitin 2025, i cili është në procedurë parlamentare, janë parashikuar mjete për rritjen e pensioneve dhe se ka mjete për rritje të pagave në shëndetësi dhe arsim.

Para fillimit të seancës së LSM-së, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, deklaroi se mbeten në kërkesë për pagën minimale prej së paku 450 euro, si dhe për rritje të pagave në sektorin publik. Trendafilov shprehu edhe pritjen se "partnerët e tjerë social" do t'i pranojnë këto kërkesa.

"Në Buxhet, ndoshta për herë të parë pas një kohe të gjatë parashikohen mjete për rritjen e pagave me më shumë se dhjetë për qind. Në përputhje me projeksionet buxhetore që LSM-së ka mundur t'i shohë, Qeveria parashikon mjete në përputhje me marrëveshjet kolektive dhe ligjet për rritje të pagave. Standardi i dëmtuar i jetesës me rritjen e vazhdueshme të shportës minimale sindikaliste, e cila nga fillimi i vitit e deri sot është rritur për më shumë se 4.800 denarë, duhet të jetë motiv i mjaftueshëm për rritjen e pagës minimale", theksoi Trendafillov. rq/bsh/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR