• e enjte, 04 dhjetor 2025

Mickoski pret përforcim të marrëdhënieve me Berlinin pas fitores së CDU/CSU

Mickoski pret përforcim të marrëdhënieve me Berlinin pas fitores së CDU/CSU

Shkup, 24 shkurt 2025 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski pret përforcim edhe më të madh të marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë pas fitores së bllokut të koalicionit CDU-CSU dje në zgjedhjet parlamentare. Ai gjithashtu nuk pret ndryshim të marrëdhënieve me Berlinin për shkak të bashkësponsorizimit  të Maqedonisë në propozim-rezolutën e SHBA-së për Ukrainën. 

“Partneriteti transatlantik nuk është vetëm prioriteti ynë, por është prioritet edhe për Gjermaninë dhe SHBA-në dhe askush nuk duhet të ketë dilemë këtu. Besoj se ky partneritet është një garantues i paqes kudo në botë, diçka për të cilën kemi nevojë të gjithë, përfshirë në Ukrainë dhe në të gjitha vendet e botës në përgjithësi. Në këtë partneritet transatlantik, lidhjet më të forta janë SHBA-ja dhe Gjermania. Pra këtu askush nuk duhet të ketë dilemë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për media në Qeveri.

Kryeministri përsëriti se për ne SHBA-ja është partner strategjik, ndërsa tani edhe partia simotër CDU-CSU fitoi në zgjedhjet në Gjermani dhe do ta formojë qeverinë e re. 

“Me kancelarin e ardhshëm Merc njihemi edhe në kuadër të Partisë Popullore Evropiane dhe tani jemi parë në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih. Vlerësoj se marrëdhëniet tashmë të mira të partneritetit dypalësh do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen. Do t'ju kujtoj se tek ne kanë ardhur shumë personalitete të CDU-së nga rrethi i ngushtë i kancelarit të ardhshëm Merc, siç është zotëri Baer, të cilët janë miq tanë personal dhe pres që të kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dypalëshe me Gjermaninë dhe me Qeverinë e kryesuar nga kancelari Merc”, tha Mickoski.

Në pyetjen pse vendi ka vendosur për bashkësponsorizim në propozim-rezolutën e SHBA-së, Mickoski tha se pret që ajo të mbështetet nga shumica në KB.

“Kështu vendosëm, se do të jemi bashkësponsorues të rezolutës të cilën e parashtron SHBA-ja. Pres që e njëjta të mbështetet nga shumica në KB”, tha Mickoski. 

Në pyetjen nëse pas vizitës në SHBA ka pritshmëri se administrata e re e Trampit do të na ndihmojë në problemin dypalësh me Bullgarinë, ai tha se “me kontaktet të cilat i kemi nga rrethi më i afërt i presidentit Tramp se mund vetëm të fitojmë, ndërsa jo edhe të humbim”. 

“Kam një ndjenjë, dhe ajo që kam mundur të shoh dhe dëgjoj nga dora e parë, është se ngadalë por me siguri nga Uashingtoni dhe kudo në botë, normaliteti i ri do të përhapet dhe do të mbizotërojë. Jemi ndër të parët që mbështesim normalitetin e ri dhe besoj se do të jetë masiv në periudhën në vijim dhe do të ketë mbështetje të madhe në mbarë botën. Vlerësoj se me kontaktet që kemi nga rrethi më i ngushtë i presidentit Tramp, vetëm mund të fitojmë e jo të humbim”, theksoi Mickoski.

Përsëriti se kontesti dypalësh të cilin e kemi me fqinjin tonë lindor është kontest që në përgjithësi nuk ka kurrfarë lidhje me vlerat e shekullit 21. 

“Vlerësoj se ne si vend duhet të fillojmë zyrtarisht negociatat me BE-në, të cilat janë pjesë e këtij konteksti dypalësh, sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe për të gjitha atributet e tjera që janë pjesë e kësaj mosmarrëveshjeje dypalëshe, të cilat për fat të keq, qarqe të caktuara politike në fqinjin tonë lindor ende i trajtojnë si prioritet kryesor, mendoj se nuk ka nevojë të komentohet shumë sepse në fund të fundit, çështjet identitare, çështjet që kanë të bëjnë me identitetin e popullit maqedonas, çdo koment nga ana ime do të ishte i tepërt dhe të gjithë e dinë se cili është qëndrimi im për këtë çështje”, u përgjigj Mickoski. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR