• e diel, 22 dhjetor 2024

Mickoski nga Struga bëri thirrje për bashkim shtetëror dhe mbështetje masive të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE

Mickoski nga Struga bëri thirrje për bashkim shtetëror dhe mbështetje masive të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE

Strugë, 25 prill 2024 (MIA) - Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe bartësi i listës në Njësinë Zgjedhore 1, Hristian Mickoski sonte nga Struga bëri thirrje për bashkim shtetëror të popullit dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë kundër Qeverisë aktuale dhe masivisht të qëndrojnë pas koalicionit të kryesuar nga partia e tij dhe kandidatja për presidente Gordana Siljanoska Davkova. 

"Ju bëj thirrje të gjithë të moshuarve dhe të rinjve, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vllehë, të gjithë qytetarëve në Maqedoni të përfshihen. Kjo nuk është vetëm beteja ime ose beteja jonë këtu, por betejë e popullit kundër këtij pushteti. E shtrij dorën dhe kërkoj që të përfshihen të gjithë: bujqit, të punësuarit, të papunësuarit, mjekët, të rinjtë, të vjetrit, odat ekonomike..., kundër të keqes së përbashkët dhe burimit të të gjitha vuajtjeve tona, ndërsa ajo është kjo Qeveri e LSDM-së dhe BDI-së", tha Mickoski.

Popullin e porositi që të mos lejojë të shantazhohet, nga siç theksoi, ata që duhet t'i ndryshojnë. 

Sipas tij, populli është më i fuqishëm se çdo skenar i qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, dhe i falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe fitoren. 

Rezultati i zgjedhjeve të djeshme, theksoi, ishte përgjigje për, sipas tij, tradhëtitë, aferat, krimin dhe poshtërimet e Maqedonisë dhe qytetarëve nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së.

Mickoski potencoi se VMRO-DPMNE ka plan dhe program "Platforma 1198" me të cilin do ta transformojë Maqedoninë përpara. 

"Puna nuk ka mbaruar. Fitorja është e madhe. Finalja vijon më 8 maj. Kemi një kundërshtar që nuk do të kursejë mjete apo metoda për të mbajtur kolltuqet e veta. Dje kanë marrë karton të verdhë, më 8 maj duhet të marrin karton të kuq. Karton i kuq për të gjithë qeverinë. Ne e kemi për detyrë të shkatërrojmë të gjitha idetë e tyre për llogaritjet dhe tradhtitë. Të gjitha poshtërimet e tyre që i bëjnë veçanërisht gjatë ditëve të kaluara. Ky është një revolucion i popullit të Maqedonisë dhe nuk do të ndalet. Prandaj ju lutem, kërkoj mbështetjen e të gjithëve. Unë bëj thirrje për bashkim të përgjithshëm shtetëror të popullit dhe të gjithë segmenteve të shoqërisë kundër kësaj qeverie", theksoi Mickoski.

Bartësi i listës në Njësinë Zgjedhore 5, Gjorgjia Sajkoski nga struganët kërkoi bashkim dhe mbështetje për realizimin e idesë që Maqedonia të bëhet shtet i zhvilluar, me infrastrukturë të mirë, arsim, shëndetësi, ekonomi më të mirë...

Ju bëri thirrje qytetarëve, siç tha, më 8 maj, të dalin të votojnë për Maqedoninë e lirë. 

Edhe kandidati për deputet Jovan Jauleski i porositi struganët që të bashkohen, duke theksuar se vetëm të bashkuar do të mund ta arrijnë qëllimin që Maqedonia të qëndrojë në këmbët e saja dhe përsëri të jetë krenare. 

Gjorgji Shaposki, kandidat për deputet nga lista e VMRO-DPMNE-së në NJZ 5, u bëri thirrje të rinjve që të mos heqin dorë, duke thënë se për LSDM-në dhe BDI-në nevojat e të rinjve janë shumë poshtë agjendës së tyre dhe se nuk kanë interes të ndërtojnë shoqëri të shëndoshë në të cilën të rinjtë do të kishin spektër të gjerë të mundësive. fc/

Fotografitë: VMRO-DPMNE

QËNDRONI TË LIDHUR