• e martë, 07 prill 2026

Mickoski: Në Kompleksin e klinikave "Nëna Terezë" lëshohen në përdorim gjashtë salla operacioni të rinovuara plotësisht, shëndetësia është një prioritet i lartë

Mickoski: Në Kompleksin e klinikave

Shkup, 6 prill 2026 (MIA) - Në Kompleksin e klinikave "Nëna Terezë" në Shkup sot janë lëshuar në përdorim gjashtë salla operacioni të cilat janë pjesë e projektit për rikonstruimin e gjithsej 10 sallave për operacione në vlerë të përgjithshme prej 282 milionë denarë. Sallat e rinovuara janë në Repartin për Traumatologji pranë klinikës TOARILUC, dy në Klinikën për Urologji dhe dy në Klinikën për Kirurgjinë e Fëmijëve.

"Do të fitojmë një bllok operativ me standarde botërore ashtu që mjekët tanë specializantë të rinj të cilët i dërgojmë për trajnim në vende të huaja do të mund të punojnë në kushtet e njejta në të cilat punojnë mjekët botëror. Kjo do të thotë se po ngjitemi në hartën botërore të sistemit shëndetësor, me metoda, pajisje dhe salla të reja operacioni", deklaroi drejtori i TOARILUC, Igor Merxhanovski.

Ai theksoi se rinovimi po realizohet në dy pjesë me qëllim që të mos ndërpritet ofrimi i kujdesit shëndetësor në shëndetësinë terciare dhe të mos ketë shtypje ndaj listave të pritjes.

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu mori pjesë në lëshimin në përdorim të sallave, ai njoftoi se për disa muaj duhet të lëshohen edhe katër sallat tjera të operacioneve, ndërsa në fillim të verës shpreson se do të përfundojë edhe projekti në Spitalin "8 Shtatori".

"Për disa muaj prej tani duhet të lëshohen edhe katër salla ashtu që e rrumbullakojmë procesin prej 10 sallave moderne të operacionit. Nga fillimi i verës shpresoj se do të jemi në mundësi të shohim edhe një projekt të përfunduar në spitalin "8 Shtatori", ku gjithashtu do të kemi salla moderne dhe me këtë do të jemi praktikisht vendi numër një në rajon kur bëhet fjalë për lloj të tillë të sallave të operacionit. Në shëndetësi ka shumë punë që duhet të bëhen, por nevojiten edhe ndryshime thelbësore si në mentalitetin e politikanëve, ashtu edhe në mentalitetin e të punësuarve. Shëndetësia është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë", tha Mickoski.

Ai dërgoi urime për të gjitha institucionet e përfshira në këtë projekt dhe njoftoi edhe disa projekte të tilla të ngjashme.

"Në periudhën në vijim do t'i gëzohemi edhe projekteve tjera të kësaj natyre, të cilat do të vihen në funksion për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, që është qëllimi ynë kryesor si Qeveri", thekson kryeministri Mickoski. sa/ 

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR