• e martë, 07 prill 2026

MD: Protesta është e drejtë themelore demokratike, por brengos roli i një partie të caktuar opozitare dhe tentimi për manipulim

MD: Protesta është e drejtë themelore demokratike, por brengos roli i një partie të caktuar opozitare dhe tentimi për manipulim

Shkup, 6 prill 2026 (MIA) - Ministria e Drejtësisë e respekton të drejtën e protestës si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari. Megjithatë, me keqardhje konstatojmë se protesta e sotme edhe njëherë tregoi "tentim për manipulim me qytetarët nga ana e strukturave politike, të cilat dy dekada drejtpërdrejtë kanë marrë pjesë në krijimin e gjendjeve të jashtëzakonshme në sistemin gjyqësor", thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë pas marshit të sotëm studentor për shkak të moszbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhës gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.

Shprehja e lirë e qëndrimeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike, njoftojnë nga Ministria, paraqet një segment të shoqërisë demokratike dhe kontribuon ndaj avancimit të dialogut publik.

"Posaçërisht brengos roli i një partie të caktuar opozitare dhe veprimi i tyre në kontekst të protestave aktuale. Procedurat e tilla hapin dyshime për tentim për manipulim publik dhe instrumentalizimin përmes nxitjes së çështjeve të ndjeshme dhe shfrytëzimin e qartë të retorikës etnike për realizimin e qëllimeve afatshkurta politike. Në këtë kontekst është evidente edhe mungesa e përdorimit të shenjave shtetërore në protestën e sotme, që në mënyrë shtesë e tregon kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe raportit të tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues", thuhet në reagimin e MD-së.

Lidhur me kërkesat për dhënien e provimit të jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë edhe një herë, potencoi dhe konfirmoi se "i njëjti zbatohet në pajtim me kornizën aktuale ligjore".

"Bëhet fjalë për provim profesional, i cili nuk paraqet procedurë administrative, por mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor", kumtoi Ministria e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e prekura dhe me kujdes i shqyrton të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht në kuadër të kompetencave ligjore.

Në Shkup sot u mbajt marsh protestues studentor, ku studentët shqiptarë protestuan kundër moszbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në provimin e jurisprudencës. Marshi filloi nga Sheshi "Kryengritja e Karposhit", vazhdoi përtej Urës së Gurit dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR