Mickoski: Maqedonia nuk ndërtohet vetëm me numra dhe tregues ekonomikë, por edhe me ruajtjen e traditës dhe vlerave
- – Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sonte nga Heraklea porositi se Qeveria do të vazhdojë me zbatimin e projekteve konkrete të cilat do të sjellin zhvillim të vërtetë ekonomik dhe përmirësim të standardit.
- Post By Fitore Curri
- 22:00, 17 qershor, 2025

Shkup, 17 qershor 2025 (MIA) – Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sonte nga Heraklea porositi se Qeveria do të vazhdojë me zbatimin e projekteve konkrete të cilat do të sjellin zhvillim të vërtetë ekonomik dhe përmirësim të standardit.
Qëllimi i Qeverisë, theksoi në fjalimin me rastin e 35-vjetorit të formimit të partisë VMRO-DPMNE, është të ndërtojë shoqëri të drejtë në të cilën nuk do të ketë të privilegjuar, por do të ketë drejtësi për të gjithë dhe për këtë, potencoi, do të jetë e pamëshirshme ndaj secilit i cili do ta keqpërdorë besimin e popullit.
“Qeveria e VMRO-DPMNE-së mori përgjegjësinë në një kohë kur ekonomia ishte në krizë, kur qytetarët ishin të shqetësuar dhe të zhgënjyer. Por sot, vendi ynë është një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë me rritjen e katërt më të lartë ekonomike. Megjithatë, një Maqedoni e fortë nuk ndërtohet vetëm me numra dhe tregues ekonomikë, por edhe duke ruajtur traditën dhe vlerat që na përcaktojnë si popull. Vlerat konservatore të familjes, traditës, punës, nderit, kombit, rendit, drejtësisë dhe përgjegjësisë janë gurthemeli ynë. Këto vlera na udhëheqin nëpër errësirë dhe na forcojnë në kohë sfidash. Çdo ndryshim fillon në shtëpi, nga përgjegjësia personale dhe nga vetëdija se vetëm së bashku mund të bëjmë ndryshim të madh”, theksoi Mickoski.
Megjithatë, tregoi, nuk duhet të lavdërohemi me numrat.
“Ne nuk jemi parti që premton fjalë boshe. Veprimet tona janë porosia më e fortë. Në vitin e parë, arritëm të stabilizojmë rritjen ekonomike - të katërtën më të lartë në Evropë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Populli e ndjen barrën e së kaluarës dhe ende pret ndryshime që do t'ua përmirësojnë jetën. Ne e dimë se rritja nuk është e mjaftueshme, se populli ende nuk e ndien përmirësimin në jetën e tij të përditshme. Kjo është arsyeja pse po punojmë shumë për të riparuar dëmet nga e kaluara, për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të parashikueshme, për të krijuar vende të reja pune, për të përmirësuar kushtet për të gjithë punëtorët, veçanërisht të rinjtë, bujqit dhe pensionistët”, nënvizoi Mickoski.
Ai tregoi 15 masa specifike në të cilat Qeveria po përqendrohet: investime në infrastrukturë (rrugë, hekurudha dhe rrjete energjetike më të mira), mbështetje për kompanitë vendase përmes kushteve më të lehta të punës, krijimi i vendeve të reja të punës me fokus tek të rinjtë, përmirësimi i kushteve për punëtorët (siguri dhe paga të denja), programe për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e bujqësisë, rritja e pensioneve dhe përmirësimi i mbrojtjes sociale dhe promovimi i kujdesit shëndetësor (ndërtimi i spitaleve të reja, pajisjeve moderne dhe kuadrit cilësor).
Ndër masat janë edhe reformat në arsim, forcimi i luftës kundër korrupsionit me tolerancë zero, promovimi i vlerave konservatore si themel i një shoqërie të qëndrueshme, krijimi i programeve për mbështetjen e familjeve, mbështetja e vlerave kulturore dhe tradicionale, programet për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritja e transparencës në punën e institucioneve shtetërore, si dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal me fqinjët mbi parimet e dinjitetit dhe interesit kombëtar. fc/
Foto: MIA