• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski: Ligji duhet të vlejë kudo dhe për secilin, do të bëjmë gjithçka që të mbrojmë institucionet

Mickoski: Ligji duhet të vlejë kudo dhe për secilin, do të bëjmë gjithçka që të mbrojmë institucionet

Shkup, 24 gusht 2024 (MIA) - Ata që kanë interes për destabilizim të shtetit janë më të aftët dhe më të fuqishmit kur ka destabilitet. Demokracia nënkupton institucione stabile dhe ne do të bëjmë çmos që t'i mbrojmë institucionet, tha sot kryeministri Hristian Mickoski i pyetur nëse ende mbetet në qëndrimin dhënë ditë më parë se ka njerëz që punojnë për destabilizimin e shtetit.

"Për destabilizimin informacionet janë ato që janë. Të gjithë ata që janë bërë milionerë dhe kanë sunduar me Maqedoninë në shtatë vitet e fundit dhe të gjithë që në mbarë vendin kanë interes që ta destabilizojnë vendin, janë më të aftët dhe më të fuqishmit kur ka destabilizim. Por ne si shtet dhe si qeveri do të luftojmë për shtet stabil dhe institucione stabile, sepse demokracia nënkupton institucione stabile dhe do të bëjmë çmos që t'i mbrojmë institucionet", ka thënë Mickoski pas vizitës në NP "Rrugë Shtetërore".

Kryeministri shtoi se ligji duhet të zbatohet kudo dhe për secilin. Këtu, theksoi ai, punojmë së bashku me partnerët tanë dhe për këtë jam mirënjohës.

"Për mua kushdo që punon në drejtim të institucioneve të fuqishme dhe stabile është atdhetar që e do vendin e tij, për mua ai është person të cilin e inkurajoj dhe gjithmonë do ta përkrah", ka thënë tutje Mickoski.

Ai më herët ka thënë se kanë indikacione për persona që kanë në dispozicion shuma milionëshe, ndërsa disa prej tyre kanë qenë funksionarë të lartë të qeverive të mëparshme të cilët po mundohen të mobilizojnë njerëz në terren për ta prishur harmoninë ndëretnike në vend.

"Kemi indikacione për elemente që disponojnë me shuma të mëdha parash në miliona, disa prej tyre kanë qenë funksionarë të lartë në qeveritë e mëparshme dhe që përpiqen të mobilizojnë njerëz në terren, kryesisht për të manipuluar dhe ajo që më shqetëson veçanërisht është tentojnë për të provokuar një konflikt etnik, pra për ta prishur harmoninë ndëretnike në Maqedoni. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë, sepse e kuptojnë se ndryshe nuk mund të mobilizojnë njerëzit dhe tani mënyra e vetme është të provokojnë këtë lloj konflikti. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Apeloj edhe opinionin, mediat dhe qytetarët që të përmbahen nga çdo provokim, t'i injorojnë ato", ka thënë Mickoski më 15 të këtij muaji.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, nga ana tjetër pas deklaratës së Mickoskit në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve tha se nuk planifikon të mbledhë Këshillin e sigurisë lidhur me pretendimet apo indikacionet për destabilizim të shtetit.

"Indikacionet për destabilizim janë diçka tjetër, kërcënimet për destabilizim diçka tjetër, por realiteti është ndryshe. Unë thash se nuk do ta mbledh Këshillin sepse mendoj se në këtë kohë kur duhet të përballemi me zjarret si fatkeqësi natyrore, ne përballemi edhe me kërcënime të tjera nën thonjëza. Nuk shoh se këto kërcënime janë realitet për momentin", ka thënë Siljanovska Davkova, duke paralajmëruar se mund ta thërrasë Këshillin e sigurisë pas riekipimit të tij.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR