Mickoski: Investim i rëndësishëm, fillim i ri - 100 automjete të reja për Postën
- Sot flasim për një investim të rëndësishëm, që nuk do të thotë vetëm automjete të reja, por do të thotë fillim i ri, energji e re dhe funksionalitet i ri për një sistem që me vite është lënë të ballafaqohet vet me sfidat. Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, ka realizuar furnizim të 10-të automjeteve të reja për nevojat e Postës. Vlera e përgjithshme e këtij investimi është rreth dy milionë euro, kumtoi në ngjarjen e sotme kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me ministrin Aleksandar Nikollovski dhe drejtorin Orhan Kurtishi i kanë promovuar automjetet e reja.
- Post By Besnik Shuki
- 11:12, 15 prill, 2026
Shkup, 15 prill 2026 (MIA) - Sot flasim për një investim të rëndësishëm, që nuk do të thotë vetëm automjete të reja, por do të thotë fillim i ri, energji e re dhe funksionalitet i ri për një sistem që me vite është lënë të ballafaqohet vet me sfidat. Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, ka realizuar furnizim të 10-të automjeteve të reja për nevojat e Postës. Vlera e përgjithshme e këtij investimi është rreth dy milionë euro, kumtoi në ngjarjen e sotme kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me ministrin Aleksandar Nikollovski dhe drejtorin Orhan Kurtishi i kanë promovuar automjetet e reja.
"Ky nuk është vendim i rastësishëm. Kjo është përgjigje e nevojës reale", tha kryeministri.
Vjetërsia mesatare e automjeteve, me të cilat deri tani ka punuar Posta, siç informoi kryeministri, është rreth 15 vite.
"Kjo do të thotë pajisje e vjetërsuar, defekte të shpeshta, harxhime të rritura dhe efikasitet të zvogëluar. Kjo do të thotë vonesë e dërgesave, pakënaqësi tek qytetarët dhe besim i zvogëluar në sistem. Ne kemi vendosur t'i japim fund kësaj", tha kryeministri.
Ky furnizim është pjesë e strategjisë më të gjerë, shtoi ai, për të rinovuar institucionet, të modernizohen shërbimet publike dhe për t'i bërë ato funksionale për qytetarët. Sepse institucionet ekzistojnë, theksoi ai, për të shërbyer, jo për të kërkuar justifikime.
Me automjetet e reja, siç tha ai, Posta do të jetë në gjendje t'u ofrojë shërbime çdo qytetari, çdo vendbanimi, çdo kompanie më shpejt, me efikasitet dhe më me besueshmëri. Kostot e mirëmbajtjes do të ulen, produktiviteti do të rritet dhe shërbimi do të bëhet me cilësi më të lartë.
Megjithatë, kryeministri njoftoi se ky është vetëm fillimi. Në kuadër të të Planit për rritje, po punohet për masa konkrete të cilat, siç nënvizoi kryeministri, do të rrisin konkurrueshmërinë e Postës.
"Qëllimi ynë është i qartë - të krijojmë një institucion modern, efikas dhe të qëndrueshëm. Ne parashikojmë përmirësim në efikasitetin e ofrimit të shërbimeve dhe ulje të harxhimeve për së paku 15 për qind. Në të njëjtën kohë, po punojmë për përmirësimin e treguesve të rentabilitetit, gjithashtu me rreth 15 për qind. Kjo do të thotë menaxhim më i mirë, organizim më i mirë dhe rezultate më të mira", nënvizoi kryeministri.
Sipas tij, ky është ndryshimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve dhe realizimit.
"Gjetëm një sistem që ka funksionuar gjatë kohë me investime minimale, me pajisje të vjetërsuara dhe efikasitet të dëmtuar. Sot, hap pas hapi, po e rikthejmë në funksion. Po e normalizojmë, po e modernizojmë dhe po e përgatisim për të ardhmen", tha Mickoski.
Posta, theksoi ai, duhet të bëhet përsëri shërbim të cilit qytetarët do t'i besojnë.
"Një institucion që do të jetë partner i bizneseve. Një sistem që do të jetë në gjendje t'u përgjigjet sfidave moderne, veçanërisht në kohën e transformimit digjital dhe rritjes së tregtisë elektronike. Ne nuk premtojmë rrugë të lehtë, por premtojmë punë, përkushtim dhe rezultate, sepse po vjen koha kur institucionet do të punojnë për qytetarët. Po vjen koha kur shteti do të japë rezultate", tha Mickoski. bsh/
Foto: MIA