18:00/22 korrik/2025
Tetovë - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi gjatë vizitës së sotme në Tetovë, në pyetje të gazetarëve paralajmëroi se zgjedhjet lokale do të shpallen në gjysmën e parë të gushtit. Sipas tij, ajo periudhë është një afat i përcaktuar ligjërisht. "Presim edhe pak për të parë nëse mund të miratojmë ligje dhe të mos pengojmë punën e institucioneve të tjera. Do të përpiqemi t'i shfrytëzojmë këto ditë në maksimum. Dhe në një datë të caktuar, që është brenda afateve ligjore, do t'i shpallim zgjedhjet, por kjo do të jetë në gjysmën e parë të gushtit", tha Afrim Gashi, i cili pati një takim me Bilall Kasamin, kryetarin e Komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes Besa.
Shkup - Në suaza të seancës së sotme të 62-të plenare, deputetët debatojnë për ribalancin e Buxhetit për vitin 2025. Për shumicën qeverisëse, Buxheti është një instrument fleksibël që përshtatet me zhvillimet dhe prioritetet reale ekonomike, ndërsa për opozitën është jorealist dhe nuk do ta mbështesë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, theksoi se Buxheti është një instrument fleksibël që përshtatet me zhvillimet reale ekonomike dhe prioritetet e shoqërisë sonë dhe njëkohësisht theksoi se ka rritje të të ardhurave, deficit të qëndrueshëm dhe politikë fiskale të qëndrueshme.
Shkup - Në seancën e sotme, Qeveria miratoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, që do të rezultojë me rritje të pensioneve, njoftoi shërbimi qeveritar për shtyp. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi më herët sot në një konferencë për shtyp se Qeveria do të shqyrtojë sot projektligjin për rritjen lineare të pensioneve, i cili më pas do t'i dërgohet Kuvendit.
Shkup - Tatimpaguesit duhet t'i dorëzojnë dokumentet e nevojshme te kontabilistët e tyre dhe të dorëzojnë deklaratat e TVSH-04 për periudhën aktuale tatimore në kohë. Afati i fundit për dorëzimin e deklaratave të TVSH-së-04 është e premtja (25 korrik), njoftoi sot Drejtoria e të Ardhurave Publike. "Deri më tani, nga 41,171 deklarata të pritura të TVSH-04, janë dorëzuar gjithsej 16,015, që është afër 40 përqind e numrit të përgjithshëm të tatimpaguesve që duhet të dorëzojnë deklaratë dhe përfaqëson një rritje prej 10 pikësh përqindjeje krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm, kur rreth 30 përqind e deklaratave të pritura u dorëzuan për të njëjtën periudhë. Megjithatë, ka ende 25,156 deklarata të TVSH-së-04 që duhet të dorëzohen deri të premten, që është afati i fundit ligjor për dorëzimin e deklaratave të TVSH-së-04", thuhet në kumtesë.
Shkup - Pushteti ekzekutiv ka mirëkuptim se duhet të synojmë për norma të ulëta të inflacionit, drejt nivelit që arrihet në eurozonë. Patëm një takim me kryeministrin, i thamë se mund të gjendemi në një situatë ku qëllimet tona të jenë konfliktuoze sepse çdo qeveri dëshiron të përshpejtojë rritjen, por në 4-5 vitet e fundit, një numër i madh politikanësh në të gjithë botën kanë humbur zgjedhjet pikërisht për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve me inflacionin e lartë, siç ishte rasti në SHBA. Fitorja e Trampit, në rast të fundit, solli pakënaqësi nga çmimet e larta dhe inflacionin e lartë, tha sot guvernatori i Bankës Popullore (BP), Trajko Sllaveski.
Shkup - Guvernatori i Bankës Popullore (BP) Trajko Sllaveski sot përsëri e aktualizoi çështjen për vendosjen e ligjit për falimentimin personal. Siç tha në takim publik të punës në Odën Ekonomike, nuk mundet pafundësisht të tolerohen njerëz që nuk janë në gjendje t'i shlyejnë detyrimet e tyre.Të gjitha vendet e zhvilluara, theksoi Sllaveski, kanë rregullore për falimentim personal. "Kjo ndoshta është më shumë një çështje për Ministrinë e Financave, por së bashku mund të mendojmë nëse është momenti për të shkuar me këtë lloj rregulloreje - ligji i falimentimit personal. Sipas informacioneve të mia, kemi rreth 120.000 llogari të bllokuara, qytetarë pa qasje në institucionet financiare. Ata janë viktima të disa ofruesve të kredive me norma të larta interesi, fajdexhi. Duhet të aktualizohet çështja, unë kohë më parë e kam ngritur edhe si ministër i Financave, a është koha që të miratojmë një ligj për falimentimin personal, i cili do të zgjidhte disa çështje. Nuk mund në pafundësi të tolerohet një situatë e tillë - njerëz që nuk mund t'i shlyejnë detyrimet e tyre, ndërsa ato po shtohen me interesat e borxhit", theksoi guvernatori.
Shkup - Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale njoftoi sot se në seancën e 5-të të mbajtur më 21 korrik të vitit 2025 miratoi Draft-Udhëzimin për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit për konfirmimin e raporteve për reklamim politik të emituar të paguar. "Agjencia u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara, me mendimet dhe propozimet e tyre të marrin pjesë në debatin publik për Draft-Udhëzimin dhe të njejtat në formë të shkruar t'i dorëzojnë përmes rrugës elektronike në e-adresën contact@avmu.mk. Debati publik do të zgjasë 45 ditë, deri më 5 shtator të vitit 2025", citojnë nga ASHMAA.
Shkup - Në kuadër të rastit "Sindroma", Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti aktakuzë kundër 36 personave, të dyshuar për një sërë krimesh që lidhen me ndërmjetësim të paligjshëm në fitimin e të drejtave për kujdes dhe pension invalidor të të tjerëve me një çmim prej 150 deri në 5.000 euro. Të pandehurit, përfshirë mjekë, një avokat dhe zyrtarë, vepruan përmes dy grupeve të organizuara kriminale, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare për përfitim personal.
Prilep - Në spitalin e Prilepit do të punësohen 124 persona, personel mjekësor që deri më tani kanë punuar me marrëveshje në vepër. Spitali mori miratim për punësimin e tyre nga Ministria e Financave. Midis tyre janë 21 mjekë të përgjithshëm. Sipas drejtorit të spitalit të Prilepit, Kire Jonoski, kjo në masë të madhe e tejkalon problemin me personelin mjekësor dhe do të thotë ndërtim për të ardhmen.
Koçan - Një zjarr i madh shpërtheu sot në një shtëpi në rrugën "Braqa Stavrevi" në qendër të Koçanit. Pjesëtarët e NJTZ janë në vendngjarje me disa automjete dhe po përpiqen të shuajnë zjarrin. Nga shtëpi që digjej zjarrfikësit arritën të nxjerrin një grua të moshuar nga shtëpia, e cila, sipas informacioneve fillestare, nuk është në gjendje të rrezikshme për jetën.
Koçan - Zjarri që shpërtheu pasdite para orës 14:00 në një shtëpi në rrugën "Braqa Stavrev" në Koçan, është shuar. Sipas informatave të Ndihmës së shpejtë mjekësore, janë hospitalizuar tre persona, të cilët pësuan nga thithja e tymit, por asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetë. Në luftën kundër zjarrit, zjarrfikësit nga Koçani intervenuan me të gjitha mjetet e disponueshme, ndërsa ndihmë kanë marrë edhe nga Vullnetarët kundër zjarrit.
Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një takim me dyer të mbyllura me të gjithë ministrat dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kritikoi ata për punën dhe rezultatet e dobëta. Ai kërkoi largimin e tyre dhe zëvendësimin me burime të tjera njerëzore që do të merrnin përsipër menaxhimin e sektorëve të ndryshëm deri në zgjedhjet e një kryetari të ri bashkie, pas arrestimit të Erion Veliajt, por pa dhënë një afat të qartë për zhvillimin e tyre. Mësohet se do të ketë një riorganizim bazuar në strukturën e propozuar nga kompania e Toni Bler, i cili do të aplikohet edhe në bashki të tjera.
Bruksel - Është i nevojshëm një armëpushim urgjent në Gazë dhe sigurimi i shpërndarjes së ndihmave humanitare për popullsinë në sasi të mjaftueshme, deklaroi ministri belg i Punëve të Jashtme, Maksim Prevo i ftuar në emisioni "Premiera" në televizioni shtetëror RTBF. "Kjo është ajo që po theksojmë dhe për të cilën fuqishëm po përpiqemi. Bëjmë thirrje që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, pengjet të lirohen pa kushte dhe mbi të gjitha të jemi në gjendje të përballemi me këtë sfidë humanitare", deklaroi Prevo.
Bruksel - Komisioni Evropian ka nisur një debat publik për përpunimin e një Plani aksional të BE-së për t'u përballur me dhunën onlajn, i cili pritet të promovohet në fillim të vitit 2026. "Dhuna nuk ndalet në shkolla ose në fushat e lojërave. Fëmijët dhe të rinjtë janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj dhunës onlajn përmes telefonave inteligjentë dhe mediave sociale, të cilat mund t'i dëmtojnë ata në çdo kohë", porositi zëvendëskryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Hana Virkunen.
Bruksel - Vrasja e civilëve të cilëve u nevojitet ndihmë në Gazë është e papranueshme, porositi sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në një postim në Iks. "Të gjitha opsionet mbeten në tryezë nëse Izraeli nuk i përmbush premtimet e tij", theksoi Kallas. Ajo informoi se sot ka biseduar me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Gideon Sar, me qëllim, siç theksoi, t’ia kujtojë marrëveshjen midis BE-së dhe Izraelit për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gazë.
Londër - Britania e Madhe mund të vendosë sanksione të reja kundër Izraelit nëse nuk arrihet armëpushim në Rripin e Gazës, tha shefi i diplomacisë britanike, Dejvid Lami."Jam i tmerruar dhe i neveritur nga veprimet izraelite në enklavën palestineze", u tha Lami gazetarëve pasi Izraeli nisi një operacion tokësor kundër Deir al-Bala, qendrës kryesore të ndihmës humanitare në Gaza. Në një kumtesë të përbashkët të nënshkruar nga 25 vende, përfshirë Francën, Kanadanë dhe Australinë, ministrat e jashtëm bënë thirrje për heqjen e menjëhershme të kufizimeve izraelite mbi shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza. Ata thanë se modeli aktual i shpërndarjes kishte çuar në "sulme të përsëritura ndaj civilëve palestinezë që kërkonin ushqim".
Moskë - Kremlini nuk pret përparim të rëndësishëm në negociatat paqësore me Ukrainën që duhet të mbahen nesër në Turqi, bëri të ditur zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov. Rusia, siç theksoi, mbetet e përkushtuar ndaj qëndrimeve të saj dhe nuk do të devijojë nga qëllimet e përcaktuara fillimisht. "Nuk ka arsye për të shpresuar për një mrekulli, por ne do të mbrojmë interesat tona, do të përpiqemi për realizimin e tyre dhe do të vazhdojmë të përmbushim detyrat që i kemi vendosur vetes që nga fillimi", deklaroi Peskovi para gazetarëve.